Conclave (2024)

Conclave (2024)

Gjithmonë më zgjojnë kureshtjen besimet e njerëzve në hyjninë, ajo lidhja spirituale që kultivojnë dhe mbështeten përgjatë jetës së tyre, pavarësisht thellësisë që ka ky emocion për ta.

Ngjashëm edhe procedurat e zgjedhjes së papës, të cilat nuk më kujtohet të kenë ardhur më parë në një film artistik si “Conclave,” shtjellohen në detaje.

Që nga momenti i kumtimit të vdekjes së papës, në qendër të rrëfimit vjen karakteri i Ralph Fiennes, Lorenci, i cili është personi përgjegjës për aranzhimin e procedurave të zgjedhjes së kreut të ri të Kishës Katolike.

Si çdo kuvendim në jetën tonë, edhe këto spirituale që supozohen se janë më të drejta, me njerëz më të dinjitetshëm, bien në nivelin e karakterit njerëzor duke shfaqur disa nga mëkatet e pafalshme, si lakmia dhe xhelozia.

Ndonëse e sheh veten si vetëm si një mbrojtës i procesit dhe institucionit, Lorenci mbetet mes zjarreve që sfidojnë parimet dhe besimin e tij, duke e shtyrë të dyshojë në gjithçka e gjithkënd përreth vetes, përfshirë edhe veten e tij.

Në këtë gjë, Ralph Fiennes bën një punë të mrekullueshme si karakteri kryesor i filmit, mbi të cilin edhe bie pesha më e madhe e shtjellimit të historisë. Njëkohësisht atij i duhet të komunikojë me karaktere tjera dytësore të cilat arrijnë të krijojnë skena të përshtatshme me dialogë që nuk mbesin mbrapa skenarit dhe pjesës teknike.

Deri në këto pika e momente, filmi është mjeshtri artistike. Por, ajo çfarë ndodh në pjesën e mbetur është kontroverse dhe e papërshtatshme ndaj një institucioni e besimi që ka mbrapa mbi 1 miliard njerëz.

Më shkurt, “Conclave” është i shtjelluar mirë, aktrimi i Ralph Fiennes është fenomenal, por qëllimi i krejt filmit është i neveritshëm. Nota personale: 3/5