Çuditërisht ka qenë ky film i shkurtër me Roscoe Fatty Arbuckle që më ka shtyrë të hallakas më shumë për këtë aktor, i cili del të jetë një pionier i filmave bardhë e zi dhe mentor i Keatonit e Chaplinit.
Njëkohësisht kam mësuar edhe arsyen pse është lënë në harresë – skandali i përdhunimit.
Te ky film, versioni që kam parë unë, për 25 minuta sjellë një trakë muzike me këngë për ishullin në fjalë, derisa fillon me Buster Keaton dhe të dashurën e tij që shkojnë të shohin paradën në atë që duket të jetë panair.
Me t’u zhvendosur ngjarja në plazh kemi karakterin e Arbuckle i cili është i ngujuar me gruan e tij nga e cila dëshiron të ikën në çfarëdo mënyrë. Kur ia del kësaj, atëherë në skenë hyn edhe çifti i tretë që shpie te një përzierje çiftesh, të policisë, dhe karnavalit, që bën shumë ngjarje për kaq pak minuta, duke e kaluar të zakonshmen e këtyre filmave të shkurtër.
Pikërisht kjo më ka lënë mbresa duke e bërë njërin nga filmat më të mirë të këtij zhanri që kam parë. Nota personale: 5/5

