Constantine (2005)

Constantine (2005)

Për shumëkënd Constantine është njëri ndër filmat më të nënvlerësuar nga bota e DC-së, por fatkeqësisht nuk ndaj të njëjtin mendim.

Filmi fillon mirë, ka ide të mirë – Keanu Reeves është Xhon Konstantini, gjahtar demonësh në Los Angeles, dhe ka një dhunti të parandiejë krijesat mbinatyrore kur fshihen në botën njerëzore. Kështu që ai kalon jetën duke bërë eksorcizëm në ndihmë të njerëzve, por megjithëkëtë ai ende beson që aftësia e tij është një mallkim për të kaluarën e tij.

Më shumë se e kaluara e mundon e ardhmja, dhe ndërkohë ai takon Anxhelën, një detektive që heton vdekjen e motrës binjake të saj. Të dyja këto, Anxhelën dhe Izabelën i portretizon Rachel Weisz dhe këtu pak më humb treni!

Pjesa e parë, me Konstantinin që bën punën e tij është mirë e shtjelluar, e kemi edhe Shia LaBeouf, e në rolet tjera janë Tilda Swinton e Djimon Hounsou, pa harruar edhe Peter Stormare që ka një hapësirë shumë të kufizuar.

Por, filmi përfundimisht është shumë i ngarkuar, i komplikuar, dhe do të ishte më mirë sikur krejt kjo histori të ndahej në dy a më shumë vazhdime. Kjo nuk ndodh, dhe mbesim me vetëm një film që ka fansat e tij të flaktë, por për pjesën më të madhe është një projekt i çuar dëm.

DC duhet të bëjë një film tjetër për Konstantinin, se as ai ku e përzien me Betmenin në film të animuar nuk ka qenë diçka i mirë. Ndoshta unë nuk jam në vijë me karakterin. Nota personale: 3/5