Është e çuditshme si ndryshon narrativa nëpër filma e forma të artit. Diçka që duket e paimagjinueshme sot, 30-40 vite më vonë mund të bëhet normale, kur ndryshojnë pikëpamjet për atë temë.
Si dikush që merr të gjitha format e artit me rezerva, sidomos kur provojnë të përçojnë një mesazh politik, ndryshimi gjithmonë vjen me një shije pak më boshe.
Por, kur arti vjen me një formë të përkryer, ku më shumë përqendrohet në diçka minimale në aspektin politik, me pjesën kryesore rreth karaktereve e historisë që zhvillohen me përpikëri, me origjinalitet, që i jep një nuancë të vërtete kësaj forme të arti, atëherë kemi një produkt final që jehon nëpër periudha të ndryshme.
Në majën e karrierës së tij, Kevin Costner vendos të bëjë njërin nga filmat më të suksesshëm ndonjëherë për Oskar, me 12 nominime dhe 7 fitore. Veçantia e këtij filmi është tema që trajton, dhe mbi të gjitha fakti që pjesa më e madhe e filmit është në gjuhën e amerikanëve vendas, lakota.
Ngjarja zhvillohet pas përfundimit të Luftës Civile Amerikane, kur Xhon Dunbar plagoset në një betejë ku veçohet për trimërinë dhe lidershipin e tij aty, dhe pas kësaj vendos të zhvendoset në një vend të izoluar, të populluar në tërësi nga fisi Sioux.
Aty, ai fillon të mësojë e të adaptohet me kulturën e tyre, duke hasur në mikpritjen e tyre, e gjen edhe dashurinë e jetës.
Është film shumë i gjatë, i qetë, i bukur.
Është një mësim historie vizuale që të kënaqë për çdo moment, falë një regjie të shkëlqyeshme të Kevin Costner, i cili vjen edhe në rolin kryesor. Përkrah tij vjen Mary McDonnell, dhe shumë aktorëve vendas, të cilët i japin origjinalitetin historisë dhe filmit.
Ky film epik nuk është për të gjithë, por për fansat e natyrës dhe të historisë është i mrekullueshëm. Nota personale: 5/5

