Deadpool bën sa krejt superheronjtë tjerë të Marvel, dhe kjo duhet të jetë arsyeja pse ai nuk “përzien” me superheronjtë tjerë.
Por, nga kampanjat e Ryan Reynolds nëpër rrjetet sociale për një ribashkim skenik me Hugh Jackman, deri te fillimi i këtij filmi kemi ka kaluar goxha kohë me shumë të panjohura se si do të mund të ndodhte një film si ky.
Për këtë, Deadpool thyen murin e katërt dhe flet për “elefantin” në skenë para se të bëjë një tranzicion nëpër zyrat e studiove për të gjetur Wolverinën, duke dhënë një arsyetim të drejtë për realizimin e këtij filmi. E në këtë mision, ai duhet të udhëtojë nëpër disa universe për të gjetur Wolverinën e duhur, e pastaj për të “rregulluar” kohën, ashtu si bënte Loki te seria.
Nëpër këtë rrugëtim, të sponsorizuar nga Tom Wambagans, Deadpool kalon nëpër vende të ndryshme duke takuar karaktere të papritura të cilat janë harruar edhe nga vetë Marveli!
Deadpool nuk do të ishte ky pa Ryan Reynolds, dhe aftësitë e tija para kamerës. Bazuar në dy filmat paraprak, Reynolds “shumëfishon” aftësitë e tija duke u përshtatur me rrëfimin që është pak i pazakontë ndoshta – kryesisht për shkak të qasjes joserioze që ka ndaj vetë temës – për të sjellë një produkt që përfshin gjithçka në masë të duhur pa u bërë bajat.
Në fund, kemi një film superheronjsh ndryshe nga tjerët, i përkryer për shijen time, ndihmuar nga harmonia skenike që Ryan Reynolds ka me Hugh Jackman, por edhe me kontributet sado të vogla qofshin të aktorëve në karaktere dytësore.
Nuk ka dyshim që Deadpool v Wolverine mbetet filmi më i mirë i vitit 2024 në listën time. Nota personale: 5/5

