Deep Cover (2025)

Deep Cover (2025)

Moti kohë nuk jemi përmendur në filma, dhe prandaj me të filluar “Deep Cover,” aty janë shqiptarët në rolin e mafisë britanike.

Filmi sjell tre veta që synojnë të bëhen komikë, dhe kur karriera e tyre nuk shkon sipas planit, ata vendosin të shfrytëzon talentin e tyre për të improvizuar karaktere në operacione të vogla policore.

Marrëveshjes së Kat me policinë i bashkohen edhe Arnolldi që ëndërr e ka aktrimin dhe Hju, i cili në këtë zanat përfshihet për të qenë më i shoqërueshëm në firmë.

Bryce Dallas Howard është liderja e treshes, me Orlando Bloom që ka një rol të mahnitshëm, më komikun nga treshja ndoshta, dhe Nick Mohammed që vjen në rolin e të çuditshmit të grupit! Harmonia e tyre është e përkryer, si një treshe tipike, secili karaktere më vete, por që funksionojnë si simfoni!

Sean Bean është kontakti i tyre me policinë, me një rol të zakonshëm për të.

Të angazhuar për punë të lehtë aktrimi, treshja papritur futet thellë dhe në mënyrë komike në nëntokën e mafisë, që me përshkallëzimin e ngjarjeve veç çka bëhet më interesante dhe më komike për neve si shikues, ky film.

“Deep Cover,” është komedi e zakonshme britanike, me humor të errët, e edhe ngjyra të errëta, britanike, që megjithëse shkon thellë në temë, disi arrin të gjejë rrugën për te finalja goxha e kënaqshme. Është ndër filmat më të mirë të vitit deri tash. Nota personale: 4/5