Deep Water (2022)

Deep Water (2022)

Për fansat e Ana de Armas, jo medoemos kinematografisë, ky është ndër filmat më të bukur të aktores.

Që nga skena e parë, kur pret burrin e saj në shkallët e hyrjes, Ana de Armas vë në funksion bukurinë dhe sensualitetin e saj duke marr përsipër rolin që i ngarkohet, dhe të cilin e kryen me aq mrekulli sa e zotëron krejt filmin.

“Deep Water” sjell Ana de Armas në rolin e Melindës, e martuar me burrin e saj, por me një marrëveshje që i garanton asaj të ketë lidhje me persona të tjerë, derisa ajo rrit të bijën që ka me Vikun, i cili është pajtuar të tolerojë këtë lloj lidhje, por që duket se ky pajtim është vetëm sipërfaqësor, derisa në vete ka të fshehur një urrejtje, më shumë për palët e treta në lidhje se sa ndaj vetë gruas së tij.

Në rolin e Vikut vjen Ben Affleck, i cili frikshëm kryen një punë të mrekullueshme në rolin e atij burrit me xhelozi të mbyllur, goxha shumë i ngurtë dhe i ftohtë, e që të bën të dyshosh njëmend se mund të bëjë gjithçka që dyshohet se bën – të frikësojë e lëndojë dashnorët e gruas së tij.

Pas “Gone Girl,” një aktrim tjetër fenomenal, i ngjashëm, i Ben Affleck, por në një film që është më shumë erotik se sa një triler psikologjik.

Të dy kryejnë me zell punën e tyre në përjetësimin e karaktereve që kanë, e ndoshta harmonia e tyre në skenë kishte qenë edhe nxitje që të dy të fillonin një lidhje romantike në jetën reale gjatë xhirimeve të filmit. Kjo harmoni vërehet shumë mirë në film, dhe e bën filmin solid.

Regjinë e bën Adrian Lyne (Fatal Attraction, Unfaithful), që i kthehet këtij zhanri gati pas dy dekadave, ndërkohë pjesë e skenarit është dhe Sam Levinson, i njohur për Euphoria, dhe kjo mjafton për ta ditur se në çfarë drejtimi shkon, ndonëse jo aq në ekstrem.

Film i mirë për këtë zhanër, dhe sidomos për fansat e dy aktorëve në rolet kryesore. Nota personale: 3/5