Në një vend të largët në Perëndimin e Egër, Kenti është pronari i një salloni argëtues ku këndohet, vallëzohet, pihet e argëtohet.
Në mesin e krejt kësaj, Kenti ka vrarë sherifin e qytetit kur ai ka filluar të bëjë shumë pyetje për një lojë pokeri. Bashkë me Frençin – gruan kryesore të sallonit dhe të dashurën e tij, Kenti sundon vendin pa pasur frikë askënd.
E kur në qytet vjen Destri, krejt presin një “babahov” që i ka hije një sherifi, por ai del të jetë një djalë i dobët e i ndrojtur, i cili nuk i mbush syrin askujt, aq më pak Kentit.
“Destry Rides Again,” është njëri nga uesternët më të lehtë për t’u përcjell – është një komedi që ka britma, vallëzime, të shtëna, skena komike, e edhe rrahje grash.
Me pak mbi 1 orë e gjysmë, me një histori që zhvillohet mirë duke nisur si komedi e duke filluar të bëhet pak më serioze me kalimin e kohës, është një uestern më ndryshe, larg seriozitetit e rëndësisë së filmave kryesorë të këtij zhanri.
Pastaj, në rolin e Destrit kemi James Stewart në karakterin e tij të zakonshëm, një djalë simpatik që duket se ka vetëm llafe dhe ndrojtje e nuk është i bërë për një sherif të fortë. Në anën tjetër, si Frençi vjen gjithmonë joshësja Marlene Dietrich me të cilën Stewart ka një harmoni të këndshme skenike që i jep shije këtij filmi.
Nuk është ide e keqe për të nisur filmat uestern me “Destry Rides Again,” – i shkurtër, aktorë të shkëlqyeshëm, histori të thjeshtë, larg seriozitetit. Nota personale: 4/5

