Kosova
Në Olimpiadën e tretë verore, Kosova synon medaljen e katërt.
Të tri të artat e Kosovës kanë ardhur në xhudo, që përsëri vazhdon të mbetet i vetmi sport me të cilin mund të identifikohemi ndërkombëtarisht për tituj.
Por, thellë në vete kam një pesimizëm që rrjedhë nga psikologjia e garuesve që mbrojnë tituj. Është një disavantazh psikik të mbrosh titullin se sa ta fitosh. Kjo vlen për Distrinë e Norën, që të dyja xhudoka të nivelit superior. Shpresoj të mos përsëritet Majlinda e vitit 2020, e cila ishte edhe e lënduar.
Laura e Loriana nuk besoj ende se janë në nivelin e medaljeve olimpike, por kurrë nuk i dihet.
Medalje besoj që do të kemi, ndoshta edhe të artën. Nëse asgjë, që të pesë xhudokat e Kosovës janë kualifikuar me meritë dhe rezultatet e arritura nëpër gara ndërkombëtare.
Të njëjtën e ka arritur edhe Donjeta Sadiku, e cila po mban mbi supe sportin që ka karakterizuar kombin tonë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Shorti ende nuk është zyrtar, por qoftë edhe një fitore, është sukses për Donjetën.
Gresa Bakraçi është e vetmja atlete që është kualifikuar me vendet e rezervuara, dhe pjesëmarrja e saj në 800m vrapim është më shumë për përvojë se sa për ndonjë rezultat të lartë.
Me të njëjtin kriter janë kualifikuar edhe dy notarët – Adell Saboviq në 100m stil i lirë, dhe Hana Beiqi në 50m stil i lirë. Për të dy, pjesëmarrja është sukses, sidomos për Hanën e cila ka tërë karrierën para.
RTK1
Falë marrëveshjes për nënlicencimin e Olimpiadave deri në vitin 2032, RTK këtë vit do të ketë mbulim më të detajuar. Finalet e atletikës, notit, xhudos, tenisit, badmintonit, dhe sporteve ekipore si futbolli, hendbolli, volejbolli, basketbolli, e gara tjera. Përafërsisht do të jenë rreth 10 orë transmetime ditore që për shikuesin mesatar janë më se të mjaftueshme.
Eurosport që tash është pjesë e Max të HBO-së, si platformë streaming nuk është në dispozicion në Kosovë. Të dy kanalet do të transmetojnë mjaftueshëm gara, por nëse keni një vpn të thjeshtë, mund të kaloni në cilindo shtet të Evropës dhe falas të shikoni sportet tjera dytësore, nëse keni interesim.
Për ngarjet kryesore RTK1 ka edhe talentin në komentim, edhe të drejtat televizive për t’i mbuluar. Provoni edhe RTK2, të cilët në vitin 2021 kanë transmetuar edhe kur RTK1 shkonin në gjumë!
Dita (-2) – 24 korrik 2024
Jozyrtarisht, sot fillojnë Lojërat Olimpike me garat në futboll dhe ragbi shtatësh.
Ragbi shtatësh është atraktiv, lojë e shkurtër, e shpejtë, pa shumë taktikë si ragbi i rregullt. Por, supozoj që futbolli do të mbetet më interesant. Dhe sot janë dy ndeshje interesante në futboll.
Talentet argjentinase të udhëhequra nga Otamendi, Rulli, e Alvarez, ndeshen me ato të Marokut të udhëhequr nga Achraf Hakimi. Në mbrëmje, pa Mbappen, por me Lacazette, Mateta, e Bade, Franca luan kundër SHBA-ve.
Këta janë emrat kryesore mbi 23 vjeç, dhe krejt e dimë se sa të talentuar janë francezët e argjentinasit nën këtë moshë. Megjithëkëtë, futbolli gjithmonë mbetet në plan të dytë.
15:00 Argjentina – Maroku (Eurosport 1)
21:00 Franca – SHBA-të (Eurosport 1, TRT Spor)

