Dog Day Afternoon (1975)

Dog Day Afternoon (1975)

Edhe zanatet e këqija lypin përvojë!

Të papërvojë, Soni dhe shokët e tij Sali dhe Stivi vendosin të vjedhin bankën një pasdite përvëluese vere. Pa plan, ata shkojnë në bankë pasi janë transferuar qarkullimi i ditës dhe krejt çfarë marrin janë 1000 dollarë, por edhe gjatë këtij procesi, ata dështojnë duke lëshuar vetë alarmin, dhe tash janë të rrethuar nga policia.

Bazuar në ngjarje të vërtetë, ky film i Sidney Lumet sjell Al Pacinon e John Cazalen në rolet kryesore të dy hajdutëve të bankës, të cilët me të dështuar me planin e tyre fillestar provojnë të manovrojnë me situatën e re të krijuar.

Aktrimi i Al Pacinos është fenomenal, me një paraqitje plot emocione që përkojnë me situatën e karakterit të tij – hajdut i papërvojë që e ngujon veten në një situatë më të madhe se që ia bart truri e zemra. Njëjtë edhe Cazale i cili ka edhe një aktrim madhështor ngjashëm me ata pak filma që kishte jetë të luante, si zakonisht i qetë kundrejt karakterit plot energji të Pacinos.

Të dy këta kompletojnë emocionet e kundërta të dy vetave me karakter të ndryshëm, duke bërë shikuesin që të lidhet me cilindo karakter dhe reaksionet e tyre, që përçohen në mënyrë shumë reale.

“Dog Day Afternoon,” për krejt arsyet e mësipërme mbetet një film i veçantë sa i përket zhanrit të vjedhjeve, duke keqtrajtuar kompasin tonë moral prej një shikuesi për t’i marr anën antagonistëve në këtë histori karshi ligjit dhe rendit. Nota personale: 5/5