Tash i bashkuar me Fremen, Poll Atreidis fillon aventurën e hakmarrjes ndaj atyre që i rrënuan familjen, duke e shtyrë të zgjedh mes dashurisë së jetës dhe fatit të universit për të parandaluar katastrofën e të ardhmes.
Kështu është përshkrimi për pjesën e dytë të filmit Dune, i cili në përshkrimin e mësipërm mund të duket si një film me temë të trajtuar më parë, dhe me emra të panjohur e zor për t’u mësuar!
Por, të them të drejtën, nuk ju duhet të mësoni emrat, pos nëse jeni fans i veprave të Frank Herbert. Në fakt, mund t’ju tregoj historinë e një filmi e mos të më kujtohet asnjëri nga emrat, por kjo është një veti që e kanë një numër i njerëzve që më shumë anojnë nga kujtesa fotografike.
E fotografia e këtij filmi është përrallore!
Të marrësh një shkretëtirë e ta bësh të bukur është diçka që mund ta bëjë vetëm një gjeni i kinematografisë si Denis Villeneuve.
Dhe fotografia nuk është vetë, me kolonën zanore, redaktimin, e regjinë që e bëjnë këtë film që në thelb mund të duket shumë minimal, njërën nga aventurat më të mrekullueshme në botën e filmave të zhanrit fantastik-shkencor.
Përsosmërinë e pjesës teknike e shoqëron aktrimi fenomenal me një grup aktorësh të cilët arrijnë të përçojnë emocionet e tyre origjinale që i japin jetë filmit, nisur nga Timothee Chalamet e Zendaya, deri te Javier Bardem e Christopher Walken, pa harruar të mahnitshmen Rebecca Ferguson.
Dune, të dy pjesët, janë një parajsë vizuale që ju thith në vete në një aventurë disi të heshtur, por me detaje të zëshme që jehojnë thellë. Nota personale: 5/5

