Gjeneratat e reja e kujtojnë Dungën si trajnerin që udhëhoqi Brazilin.
Ashtu i dedikuar, pa qehre, i pakompromis, me disiplinën në qendër të filozofisë së tij, Dunga ishte edhe në fushë, si futbollist.
Në Kupën e Botës së vitit 1994, ai do të vendosej në pozitën e mesfushorit defansiv, një 6sh klasik, para dyshes së mbrojtjes Aldair – Marcio Santos, dhe do të komandonte tërë ekipin nga pozita e tij.
Do të ndalonte kundërsulmet e kundërshtarit, do të niste kundërsulmet e tij, e bashkëlojtarët e tij do t’i shihte si figura shahu duke u komanduar ku të jenë në fushë në çdo moment.
Ishte një mosbindje e këtillë e Bebetos, i cili nuk kthehej në mbrojtje sa duhej, që çmendi Dungën për ta kapur atë për fyti në fushën e lojës.
Ai kishte marr shiritin e kapitenit pasi ylli i PSG-së atëkohë, Rai, do të humbte vendin startues për shkak të ndryshimeve taktike, dhe këtë shirit do ta mbante deri në Saint-Denis, katër vite më vonë, kur do të humbnin nga Franca.
Ndërkohë, ai kishte përcjell “çmendurinë” e tij prej lideri në futbollin japonez duke ndryshuar në tërësi Jubilo Iwatan, me të cilët do të fitonte dy tituj, dhe do të ishte lojtari më i mirë në J-League në vitin 1997.
Pos Kupës së Botës, Dunga do të fitonte dy Copa America si lojtar, dhe Kupën e Konfederatave.
Në bankën rezervë, si trajner, ai do të udhëhiqte Brazilin dy herë, por disiplina e tij s’do të përçohej te futbollist atraktiv të cilët do të zhgënjenin me paraqitjet e tyre si në katër vitet e para të karrierës së tij, 2006-2010, si në dy vitet pasuese pas Kupës së Botës së vitit 2014, deri në vitin 2016.
Fakti që Dunga nuk ka arritur të kthejë mentalitetin fitues te Brazili si trajner, tregon që asnjë trajner nuk do të mund të kthejë këtë Brazil në binarë, dhe kjo është ndoshta ndër faktet më pikëlluese për fansat e futbollit para rrjeteve sociale.
Kjo seri shkrimesh, që përfundon me këtë, ishte një rikujtim për të gjithë neve, dinozaurëve, për të ringjallur nostalgjinë tonë për futbollin e 90tave, dhe për të mësuar më shumë për Kupën e Botës së vitit 1986, dy edicione që u zhvilluan në SHBA dhe Meksikë, ku do të zhvillohet edhe ky edicion që fillon nesër.
Një falënderim për të gjithë ata që kanë përcjell këtë seri shkrimesh, e cila nuk do të jetë e fundit.

