Janë disa fjalë të urta e këshilla si për shembull çfarëdo që bën, bëje me zemër e që në këtë rast do të përshtatej me titullin e këtij filmi të adaptuar nga memoari me të njëjtin emër të Elizabeth Gilbert.
Për të tri këto veprime, ngrënia, lutja, e dashuria, një film prej 2 orë e 20 minutave nuk do të duhej të ishte i gjatë, por ka momente ku ka kërcime të panevojshme që veç sa e komplikojnë historinë.
E historia nis kur Liz, e martuar për tetë vite, me shtëpi, me karrierë, pra si është më së miri, duket e hutuar dhe kërkon kuptim për jetën. Për të arritur këtë kuptim, ajo vendos të ndahet, fillon aferë me një më të ri, dhe dikur vendos të dalë në rrugë për në Itali, Indi, dhe Bali të Indonezisë.
Në të tri këto vende ajo do të shijojë kënaqësinë e trupit, shpirtit, dhe zemrës, si përshkruhet edhe në titull.
Është një film tejet domethënës për njeriun, për neve që kërkojmë “sekretet” e jetës, e sidomos për ata që ndjekin “rrugën universale,” ato që i ka pas Liz në fillim të filmit, dhe prapë nuk ka gjetur kënaqësinë, përmbushjen nga jeta.
Burrë/grua, strehë/banesë, karrierë/pare – treshja e shenjtë jo vetëm e familjeve tona, por kushtet për një jetë të mirë që shihen si të përgjithshme na shërbehen e nguliten në trurin dhe synimet tona që nga fëmijëria.
Por, jeta do të ishte ndryshe sikur në vend të Frojdit të zgjidhej Jungu.
E Jungu e thotë shumë mirë që “ai që kqyr jashtë, ëndërron; ai që kqyr te brenda, zgjohet.”
E për me kqyr brenda, për të zgjuar zemrën e shpirtin tonë, duhet përballje me të mirat e këqijat, të lindura e të adaptuara, dhe goxha një aventurë që nuk është aspak e ëmbël a e lehtë.
Për këtë duhet guxim si i Lizës, e cila në këtë film vjen nga Julia Roberts, e mrekullueshme si gjithmonë, për të sfiduar veten dhe për të gjetur rehatinë, paqen shpirtërore, të zemrës e të trupit.
“Eat Pray Love” është film i mirë në aspektin e “zgjimit” shpirtëror, por assesi nuk duhet të mbetet si pika kryesore dhe më e rëndësishme e këtij procesi, porse vetëm një prag në botën e njohjes së vetvetes. Nota personale: 4/5

