Eden (2024)

Eden (2024)

Në skaj të botës, në një ishull të pabanuar në Galapagos, më saktë në Floreana, jeton Friedrih, i cili po shkruan manifestin e tij, e Dora provon të shërojë sklerozën e saj.

Rehatia e jetës së tyre së shpejti “prishet” nga ardhja e Hajncit me Margareten, dhe birin e tij, Herrin, të cilët kanë mësuar në Gjermani për jetën e çiftit “origjinal” në Floreana. Nuk vonon, dhe me plane gjigante vjen një baroneshë e vetëquajtur, Eloiza, e cila vjen të ndërtojë një hotel gjigant me ndihmën e dy dashnorëve të saj.

Eloiza është Ana de Armas, Margareta është Sydney Sweeney, Dora është Vanessa Kirby, e Jude Law me Daniel Bruhl vijnë në rolin e Hajncit dhe Friedrihut.

Filmi është i bazuar në ngjarje të vërtetë, realizuar nga Ron Howard dhe Noah Pink.

Emrat para e pas kamerës duken të mirë, të njohur, dhe premtues, por karakteret që portretizojnë, secili në vete, pos ndoshta ai i Sweeney, janë antipatik me çdo moment që kalon. Edhe historia duket e humbur pak, sikur të jenë tri botë të ndryshme, e asnjëra nuk është mirë as në vete, e lëre më me tjerat.

Me mbi dy orë të kaluara në ekuator, në një ngjarje utopike të vendosur gati 100 vite më parë, filmi është shumë, shumë i mërzitshëm, dhe nuk shpëtohet as nga fytyrat e bukura që ngarkohen, përkundrazi. Nota personale: 2/5