Fëmija janë rritur por karakteri i tyre ka mbetur i njëjtë
Ende mundohen të manovrojnë jetën si e sa munden, varësisht nga rrethanat e komuniteti ku janë rritur.
Dhe tash që kanë kryer shkollën, shkojnë disa hapa më lart, më tutje, më thellë në fundërrinën e jetës.
Kjo seri nuk është bërë për të lavdëruar këtë jetë, përkundrazi, për të çmontuar atë, deri në grimcën e fundit, dhe kësaj ia del Sam Levinson, përkundër një rrugëtimi të rëndë, të pështirë, të fëlliqur, në të cilin shumë veta kanë braktisur serinë herët.
Ndoshta nuk është seri për ata me karakter të paqëndrueshëm, të cilët mund të joshen nga një jetë e tillë, apo të cilët thjesht nuk mund të përpijnë një histori, një seri historish të tilla.
Dhe i kuptoj plotësisht – seritë e filmat nuk janë për të sfiduar, për të shikuar e duruar diçka që të duket e pështirë, dhe shumëçka në këtë seri, sidomos në këtë sezon, i tejkalon të gjithë kufijtë moral.
Por, e përsëris, sa shkon nga fundi, aq më shumë bie në brazdë historia, me një fund, me një skenë finale, të mrekullueshme.
Tash, qëllimi është të përmend sa më pak spoilera.
Pesë vite pas gjimnazit, Ru është duke bartur drogë për Lorin, e cila si çdo haraçxhi të shton kamatën e borxhin ashtu siç i konvenon. Rusë i ka ardhur në maje të hundës kjo, dhe takon një familje e cila duket se është ëndrra e të gjithë rrethit të Rusë.
Me Runë e kemi drogën.
Me Xhuls e kemi “sheqerbabën” në këtë sezon, dhe krejt çfarë mbërthen në vete kjo dukuri.
Kejsi nis të merret me OnlyFans për një shtesë minimale, të parëndësishme në dasmën e saj, për të cilën gjë, Nejti futet në borxh deri në fyt, e më thellë.
Medi është duke gjetur talente, por jo për punën e saj primare, dhe gjen një pikë të përbashkët me Runë, ndërkohë jetën më së miri duket se e ka Leksi, e cila ashtu si në gjimnaz, edhe këtu vazhdon të provojë të qëndrojë në binarë, por sa do të mundet.
Në rolet dytësore vijnë emra si Sharon Stone e Marshawn Lynch, i cili është larg futbollit amerikan, por asgjë, ama asgjë nuk ia kalon Colman Domingos, i cili ka më pak hapësirë se më parë në rolin e Ali Muhamedit, mirëpo i kap ata minuta për mrekulli.
Sezoni i tretë ka qenë i nevojshëm për të përmbyllur ciklin, dhe kjo është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme me një seri ngjarjesh sa të pështira, aq të frikshme, e të duhura.
Aktrimi ka qenë në nivel, ndonëse si pjesa teknike, edhe ajo artistike mbesin peng i përçimit të mesazhit, i cili megjithëkëtë arrin të shpërndahet e përputhet në mënyrë të shkëlqyeshme, nga fillimi deri në fund. Nota personale: 4/5

