Field of Dreams (1989)

Field of Dreams (1989)

A ju kujtohen ëndrrat e fëmijërisë?

E tash, a ju kujtohet dita kur keni heq dorë nga ato ëndrra? Mua po, shumë herë, përfshirë edhe sot!

Të ngujuar në kohë dhe me “përditshmërinë” e jetës, harrojmë për kohën e paktë që e kemi, e mbi të gjitha harrojmë njerëzit që na e bëjnë jetën e mirë me idenë se do t’i kemi gjithmonë pranë.

Nga mërzia që nuk ka arritur të krijojë kujtime me të atin, Rej Kinsella, vendos të ndërtojë një fushë bejsbolli në fermën e tij në Iowa, për të kujtuar babanë e tij, një fans i madh i bejsbollit.

Këtë vendim e merr pasi dëgjon një zë t’i thotë, “nëse e ndreq, ai vjen.” Dhe kur fillon të ndërtojë fushën e bejsbollit, fillojnë të vijnë lojtarët e preferuar të bejsbollit të cilët kanë vdekur shumë kohë më parë.

Më shumë se film bejsbolli, “Field of Dreams,” është një fushë e një burri në moshë që provon t’i përjetojë ëndrrat e tija, e mbi të gjitha ato të babit të tij, të cilat kurrë nuk i ka realizuar.

Është film që i bën burrat të qajnë, sidomos ata që kanë humbur prindërit “para kohe,” ndonëse kur është koha e drejtë që të pranojmë vdekjen e prindit?

E vetmja zgjidhje është të shfrytëzojmë çdo moment, çdo ditë për të realizuar ëndrrat tona, pavarësisht kostos që marrin, për të përzgjedhur familjen para çdo të mire materiale, sepse asnjë veturë, pushim, a darkë nuk të jep kënaqësinë si një moment me babin!

Kevin Costner vjen në rolin e jetës së tij, bashkë me Ray Liotta, Burt Lancaster, e James Earl Jones në rolet tjera, e që të gjithë ngërthejnë në vete emocionet që e bëjnë këtë film jo vetëm një film sporti, por një dramë sidomos për lidhje babë e bir.

“Fusha e ëndrrave” është film që i bënë të gjithë të qajnë nga nostalgjia. Nota personale: 5/5