Si mizantrop këta filmat e “Final Destionation” diqysh frikshëm të japin një farë ndjenje miratimi, që të bën të dyshosh në njerëzillëkun tënd, të vënë në mëdyshje shumë herë nga njerëzit “ekspertë” nëpër komente!

E disi, për të aprovuar mendimin e tyre ndaj teje, ti u bën një reagim “pikëllues,” ose “plot dashuri,” që veç çka dëshmon se njëmend mund të kesh probleme mendore.

Të tilla, nga shoqëria e familja, mendohet të ketë edhe Ajris, me të cilën fillon ky film, i vendosur në vitin 1969. Gjatë një nate me të dashurin e saj, ata ngjiten në një ndërtese qiellore. Aty, Ajrisa ka një parandjenjë për kolapsin e ndërtesës që i merr jetët e të gjithëve.

Nga ky moment i frikshëm, zgjohemi në kohën e tashme ku mbesa e Ajrisës, Stefania, është ajo që po i sheh këto ëndrra të frikshme, që në fakt vijnë nga përjetimet e gjyshes së saj, prandaj edhe titulli i filmit “bloodlines.”

Derisa më pëlqen premisa, ndonëse personalisht nuk besoj në besëtytni, gjithmonë ka qenë intriguese për mua, ngjashëm si pikëpamjet e Jungut për simbolet dhe shenjat, e mbi të gjitha nënvetëdijen kolektive.

Ajo çka nuk më pëlqen, as këtu, as te filmat paraprak është vulgariteti i skenave me të cilat vdekja korr hakmarrjen më mizore të mundshme, si zakonisht.

Nga këta filma nuk mund të presim “The Seventh Seal,” por për ata që kanë parë filmat paraprak, ky nuk është një zhgënjim, përkundrazi një realizim goxha i mirë.

Aktorët janë të përshtatshëm, ka shumë momente të “rënda” për mua, por fansat e horrorit sigurisht që do t’i shijojnë, realizimi teknik është në nivel, e edhe skenari nuk lë për të dëshiruar.

“Bloodlines,” është ndër filmat më të mirë të serisë “Final Destination.” Nota personale: 3/5