Freelance (2023)

Një ish-pjesëtar i forcave speciale ameriaken, Mejsoni, i plagosur në aksionin për të eliminuar diktatorin e shtetit të Paldonisë në Amerikën Jugore, tash punon si zyrtar ligjor në një firmë lokale.

Jeta e kotë, dhe e rehatshme, duket që nuk është për qejfin e tij, dhe në momentin që një ish-koleg i ofron përcjelljen e një gazetareje që provon të ringjallë karrierën e saj në vizitë të diktatorit të lartpërmendur, Mejsoni e sheh si një mundësi për t’ju rikthyer zanatit të vjetër.

John Cena vjen në rolin kryesor, në një karakter që i përshtatet atij, por cili karakter nuk i përshtatet të “padukshmit”? Si zakonisht, ai ka problem të gjejë harmoninë skenike me aktoren në rol kryesor, në këtë rast, Alison Brie. Por, filmi si krejt ngjarja, nuk është serioze, dhe kjo shihet nga hyrja që i bëhet nga këndvështrimi i Mejsonit.

Është një rrugëtim në xhungël, me shumë aksion, por ashiqare anon nga komedia, dhe atë komedi që vjen si rezultat i joseriozitetit së të gjitha anëve të filmit, nga skenari, te aktrimi!

“Freelance” është film “bosh,” i mirë për fansat e John Cenas, por jo nga më të mirët me të në rolin kryesor. Nota personale: 3/5