Me gjasë është reagim ndaj ndonjë traume të ngujuar në ndërdije dashuria që kam ndaj filmave apokaliptik. Tekefundit, vetë shija jonë ndaj filmave e objekteve tjera argëtuese është një lloj reagimi edhe kombinim i përjetimeve tona!
Derisa Mad Max Fury Road ishte si një garë me automjete ku të ligët ndiqnin ata që supozohej se ishin më të mirë, te Furiosa shkojmë edhe më thellë në të kaluarën ku mësojmë për historinë e saj që nga ditët e hershme.
Më e mira nga të gjitha në këtë film më është dukur kastingu pothuajse i përkryer i Furiosës dhe nënës së saj, duke i bërë të ngjajnë që të tria aq shumë sa mund të konsiderohej e frikshme.
Por, kuptohet, fotografia mbetet superiore ashtu si herën e kaluar. Ndonëse shkretëtirë, ajo sillet me një ngjyrë kontrasti që dallon ambientet në të cilat zhvillohet ngjarja, duke u dhënë jetë diçka që është e pajetë.
Furiosa dhe shoqja e saj, të cilat janë pjesë e grave që jetojnë në njërën nga zonat e fundit vegjetative të Australisë, zbulohen nga Sulmuesit të cilët janë në kërkim të këtyre zonave. Kur nuk arrijnë të zbulojnë lokacionin, ajo jepet dhuratë te Dementusi, gjersa nëna e saj i shkon në shpëtim.
Nuk ka shumë dialog, por ka shumë domethënie të pathënë në shumicën e ngjarjeve, ku flasin sytë më shumë se goja.
Në rolin e Furiosës vjen Anya Taylor-Joy, e Chris Hemsworth në rolin e Dementuesit. Të dy bëjnë punë të mirë, por nuk mbeten mbrapa as pjesa dytësore e aktorëve, ndonëse barra bie mbi realizimin teknik që është goxha mirë i realizuar.
Në fund, Furiosa mbetet një pasues i denjë për Mad Max: Fury Road, duke na lënë të etur edhe për vazhdime tjera të kësaj sage. Nota personale: 4/5

