Është padrejtësi që ky film shpesh mbetet larg listës së filmave më të mirë të Martin Scorseses.
E vetmja anë negative e këtij filmi mund të jetë kohëzgjatja që i afrohet tri orëve, gjatë së cilës kohë do të mund të kishte më shumë hapësirë për historinë e përgjithshme të ngjarjeve që shtjellohen, larg misionit kryesor.
Në Nju Jorkun e vitit 1862, dy grupe rivale shtyhen për “megje” te Pesë Pikat. Në këtë përballje, Billi vret babanë e Amsterdamit (që njihet si emri para vendosjes së Jorkut) dhe banda e tij tashmë zotëron këtë pjesë.
Si dëshmitar i kësaj ngjarjeje, Amsterdami (Leonardo DiCaprio) betohet të marrë hakun e babait të tij, Vellonit (Liam Neeson). Por, ai planifikon që hakmarrja e tij të jetë një rrugëtim më ndryshe që do të prekë më thellë Bill Kasapin (Daniel Day-Lewis). Në krejt këtë mesele, përzihet Xheni (Cameron Diaz).
Brendan Gleeson, John C. Reilly, Stephen Graham, Jim Broadbent, e emra tjerë janë pjesë më e vogël e ansamblit, por aktrimi i të gjithëve është fenomenal, e fatkeqësisht mbetet në plan të dytë nga ajo që mund të them se është paraqitja më e mirë e DDL para kamerave.
Larg disa filmave të “kotë” e të “fjetur,” për të cilët është shpërblyer, Daniel Day-Lewis sjell njërën nga aktrimet më të mira në histori të filmit duke mishëruar karakterin e Billit si asnjë karakter më parë e më pas. Ajo që e bën të veçantë këtë rol për të është mimika dhe pjesa fizike e cila sjell në pah talentin tjetër të DDL, larg monologëve e emocioneve që jemi mësuar t’i përçojë me aq zotësi.
Pastaj, pjesa teknike, dizajni, fotografia, është art i së bukurës, zënë me lentën e mjeshtrit Scorsese, i cili e bën “Gangs of New York,” njërin ndër filmat e tij më të bukur.
Ndoshta është kjo arsyeja pse shumica mendojnë që skenari e rrëfimi mbesin mbrapa veprave të tjera të tija, por për mua, “fajtore” është pjesa teknike e cila shpesh edhe lë në plan të dytë historinë.
Si asnjë film tjetër i Scorseses, “Gangs of New York,” është i veçantë, i bukur, me aktrim fenomenal, e një histori mirë të ndërtuar fund e krye. Ndryshe nga veprat e tjera, i ka kundërshtarët, por edhe fansat që e vlerësojmë si ndër më të mirët, e përfundimisht një film që s’bën t’ju ikë. Nota personale: 5/5

