Çfarë ndjenje është të jesh prindër nuk e di, dhe pavarësisht sa mund të bashkëndiejmë me tjerët, është e pamundur të ndiejmë të njëjtën gjë pa e përjetuar vetë.
Prandaj, e di sa zor është të jesh dajë, dhe tash edhe më mirë e kuptoj karakterin e Frankut, i cili është një ish-profesor universiteti i cili ka zgjedhur një jetë modeste si mekanik.
Ai jeton me mbesën e tij, Merin, e cila përjeton një fëmijëri të rëndomtë ndonëse ka aftësi të jashtëzakonshme në matematikë – ashtu siç na thoshte profesoresha jonë, ndoshta, ka një copë mishi mes trurit të madh e të vogël, a të mesëm.
Jeta e Merit është e rehatshme deri kur fillon shkollën, dhe aty vërehet dhuntia e saj e jashtëzakonshme duke alarmuar institucionet për talentin e saj, të cilin megjithatë Franku nuk e do të shfrytëzohet!
Gjyshja e Merit, nëna e Frankut ka një ide tjetër, dhe kështu, kemi një rivalitet familjar për dy botëkuptime të një fëmije, që në mes të krejt kësaj historie emocionale sjellin një aktrim fenomenal të një vajze të vogël, Mckenna Grace, e Chris Evansin e sjellin në një rol shumë më ndryshe nga ato që ishim mësuar ta shohim atëbotë, Kapitenin Amerika.
Në regji të Marc Webb, e me skenar të Tom Flynn, “Gifted” mbetet njëri nga filmat më të ëmbël familjar, me një histori të këndshme, aktrim të përkryer nga dy aktorët në rolet kryesore. Nota personale: 4/5

