Kërkush nuk i jep zor me të ndihmu si ata që nuk i ka ndihmu kërkosh kur kanë pas nevojë ma së shumti!
E më së shumti nga këta janë ata që kemi pasur përvojë me shëndet mendor, nga ankthi e depresioni, deri te disa dukuri më të rënda që përshkruhen në njërin nga filmat më të mirë për shëndetin mendor.
Te “Girl, Interrupted,” Susana është një vajzë e re që dërgohet në spital psikiatrik pas një veprimi që konsiderohet tentim vetëvrasjeje. Aty ajo takon vajza tjera me diagnoza nga më të ndryshmet, ndonëse vetë nuk e di se çfarë ka.
E urrej sistemin tonë mjekësor për shkak të tabusë që kanë ndaj shëndetit mendor. Me javë të endin nëpër korridore në diçka që është thjeshtë një ankth i thjeshtë, i cili po të “zbulohej” me kohë, do të ndalonte aty, para se të kalonte në sulme paniku, depresion, e ankth kronik.
Lidhja personale me karakterin e Susanës, e portretizuar nga Winona Ryder e cila si kurrë më parë i ngjan dikujt nga një e kaluar e dhimbshme, e edhe paqartësia që kalon derisa zbulon veten e bën të zorshëm këtë recensim, por, siç e përmenda në paragrafin e parë, dhe me shkrimet për shëndetin mendor që datojnë që dhjetë vite, është një tentim sado i vogël për të diskutuar për shëndetin mendor.
Qoftë edhe me katër recensime të filmave që trajtojnë shëndetin mendor.
Pos temës, që është e bazuar në historinë e vërtetë të skenaristes Susanna Kaysen, aktrimi i karakterit të Lizës është i mahnitshëm.
Në rolin e karrierës së saj, të shpërblyer me Oskar dhe jo vetëm, Angelina Jolie sjell një sociopate që “zotëron” krejt spitalin, dhe është alfa e shoqërisë së saj. Por, mbrapa krejt këtyre është diçka tjetër.
Kurrë nuk e keni parë Angelina Jolie në element, aq të “zhveshur” nga aktrimi sa të bën të mendosh që është një njeri që vërtet po përçon ato emocione në ekran.
Është e papërshkrueshme!
E kur jemi te shëndeti mendor, filmi jep një mesazh të rëndësishëm, por mbi të gjitha është ajo filozofia ime e propozimit të filmave për dikë që të pyet – nuk mund t’i propozojmë e të presim t’u pëlqejnë të gjithëve filmat që na pëlqejnë neve.
Njëjtë si për filma, edhe për shëndetin mendor, së pari duhet të pyesësh tjetrin se çfarë i pëlqen e çfarë ndien, dhe pastaj t’i propozosh diçka të ngjashme!
Nganjëherë, edhe një film mund të jetë pikënisje për diçka të mirë. “Girl, Interrupted,” është i përkryer. Nota personale: 5/5

