Me ngjarjen që fillon 16 vite pas vdekjes së Markus Aureliusit, kur Roma sundohet nga binjakët e korruptuar, e në Afrikë Hano me gruan e tij përballen me armatën e gjeneralit Akasius, pas së cilës Hano merret peng, fillon vazhdimi i dytë i “Gladiator”-it, 24 vite pas shfaqjes së filmit legjendar.
Në vete, ky film, pa “Gladiator”-in e vitit 2000, do të ishte një film i mahnitshëm që do të bënte bujë më të madhe se tash, por prapë, jo sa ai me Russell Crowe.
Historia është e shtjelluar mirë, aktrimi është në nivel, njashtu edhe fotografia e realizimi teknik.
Problemi i vetëm është se tashmë i kemi parë krejt këto, të cilat vijnë vetëm në një periudhë më ndryshe me karaktere tjera, dhe krejt kjo provon të kompensohet duke tentuar të bëhet diçka më e çmendur, më ekstravagante për të ngritur nivelin e filmit mbi vazhdimin e parë.
Ky tentim paksa dështon, por nuk e bën filmin të padurueshëm. Ndoshta pak “të tepruar” në disa raste, por në fund mbetet film i mirë.
“Gladiator II” nuk zhgënjen, por edhe vjen në një kohë që nuk i takon, me shumëçka që kemi përjetuar gjatë këtyre 25 viteve në ekran, nga seri e filma të ngjashëm, ani pse jo krejt në Romën antike.
Është film i mirë për fansat e të parit, e shumë i mirë për ata që nuk e kanë parë të parin. Nota personale: 3/5

