“Zullumi këputet prej së trashi.”
Kjo fjali e pleqve ka shumë kuptim në vete, tregon diçka që në realitet është pothuajse e pamundur, në aspektin filozofik tregon atë që ndodh nëse diçka shkon kundër ligjit të natyrës, e që supozohet se është mirësia.
Askush më shumë se Martin Scorsese nuk ka bërë për të sjellë botën e gangsterëve, nëntokën e mafisë në ekran të madh, dhe mbi të gjitha, këtë e ka bërë në mënyrë jashtëzakonisht të bukur, morale, dhe inteligjente.
Kësaj radhe kemi historinë e Henri Hill, i portretizuar nga Ray Liotta, i cili fillon që nga adoleshenca të jetë pjesë e mafisë, deri në vitet e vonshme, duke u shndërruar në një biografi pothuajse të kompletuar që përfshinë edhe jetën private edhe “profesionale,” pa lënë mënjanë edhe vetë Henrin në rrugën dhe vendimet që ka zgjedhur dhe e kanë ndjekur nga vitet e fëmijërisë.
Aktrimi i Ray Liottas dhe Robert De Niros është fenomenal, por ky është filmi i Joe Pescit i cili ndoshta e ka rolin më të mirë në karrierë si karakter dytësor (My Cousin Vinny është më i mirë, por si kryesor). I ka do skena, monologë e dialogë që janë të paharrueshme edhe sot. Disi duket që Joe Pesci të jetë lindur për këtë rol, aq mirë mishërohet me këtë karakter.
Fakti që bazohet në libër që sjell histori të vërtetë, e bën këtë film edhe më real, sidomos kur shohim si historia e rrëfyer nuk mbetet borxh e as nuk ka nevojë për veprime ekstravagante apo tri orë e kusur film, si po bën së fundmi Scorese.
Goodfellas mbetet ndër filmat më të mirë të këtij zhanri ndonjëherë. Nota personale: 5/5
