Ka ardhur koha të na marrë malli për ato verat kur kalonim jashtë në botën e vërtetë, ku bisedonim e kontaktonim me njerëz, e në dorë mbanim akullore në vend të telefonave, kur ishim njerëz!
Nejse, për shumicën, sepse për neve introvertat, nuk ka qenë shumë dallim me sot!
Për Sendin dhe Denin ka qenë një verë klasike – dashuri verore, diell, dhe argëtim para se jeta t’i kapte me problemet e veta. Tash që po mbaron vera, ata duhet të ndahen, me Sendin që kthehet në Australi, e Deni në shkollë!
Por, vjeshta ka plane të tjera për ta, dhe në Kaliforninë e vitit 1958, Deni me flokët plot me gjel, duhet të zgjedhë mes “kullerizmit” dhe dashurisë së tij!
“Grease” është muzikal klasik, një abetare e këtij zhanri, që përmbledhë gjithçka që kërkon ky zhanër duke u kthyer në një film i përkryer për rebelizmin e maturantëve, paqartësinë dhe frikën nga jeta “e vërtetë,” dashurinë, shoqërinë, dhe pjekurinë.
John Travolta dhe Olivia Newton-John kanë harmoni të mahnitshme skenike me këngën kryesore që mbetet ndër më të mirat të realizuara në film ndonjëherë!
E tash që ka mbaruar shkolla, është koha e përkryer për të shikuar “Grease,” për kushedi të satën herë! Është ndër filmat muzikal më të mirë përkrahë “West Side Story,” veçse ndoshta me një nuancë më të hareshme!Nota personale: 5/5

