Hababam Sinifi (1974)

Hababam Sinifi (1974)

Bazuar në romanin me të njëjtin emër të vitit 1957, Ertem Egilmez do të krijonte njërën nga seritë filmike më të mira të kinematografisë turke, e cila edhe 50 vite pas debutimit është një xhevahir i komedisë turke.

Filmi, paqëllimshëm, do të shndërrohej në një shpërthim të një kaste legjendash të kinematografisë turke nisur nga i papërsëritshmi Kemal Sunal, me shokun e tij nga shumë filma, Halit Akçatepe, bukuroshin e filmave romantik turk që do të thyenin shumë zemra viteve në vijim, Tarik Akan; dhe mësuesin e drejtorin më të durueshëm ndonjëherë në film, Munir Ozkul; dhe ndihmësen e shkollës, nënën e dytë të nxënësve ngelça me vite, Adile Nasit.

Që të gjithë këta do të vazhdonin të bënin karrierën e tyre të zellshme në vitet në vijim, shpesh edhe në filma të përbashkët, gjithmonë me temë të hareshme, që sillnin gëzim në Turqinë depresive të viteve 1970 kur pos dy orëve program televiziv, kinemaja mbetej e vetmja mënyrë argëtimi audiovizual.

Hababam Sinifi është një klasë e mbushur me nxënësit me trazovaçë e ngelça që mudn të ketë një gjimnaz privat.

Kopjim, ikje nga orët, shakatë të pakripura me profesorë, bile edhe këngë për ta, janë të përditshmet e kësaj klase, për përballimin e së cilës nervat i ka vetëm Mahmut qeli, i cili pos mësuesit të historisë, është edhe në rolin e drejtorit.

Derisa nuk është më i mirë se filmat pasues, Hababam Sinifi, si filmi i parë i kësaj serie duket si pak i “pagdhendur” por megjithatë ofron goxha shumë çaste komike, e shpesh edhe emocionale, duke bërë një kombinim të ëmbël për të gjithë ata që kuptojnë turqishten.

“Hababam Sinifi” është fillimi i një serie fantastike të filmave komik turk, një agim për karrierën e Shabanit, dhe jo vetëm. Nota personale: 5/5