Nganjëherë më duket se Woody Allen shfrytëzon filmat e tij për të dhënë një copëz nga jeta e tij, e që nëse i shohim shumicën e tyre, do të mund të konkludonim se janë një autobiografi e Woody Allenit.
Këtu ai vjen në karakterin që e ka sëmundjen më të keqe nga të gjitha – frikën nga sëmundjet. Si dikush që ka “shijuar” të qenit hipokondriak, as armikut më të madh nuk do t’ia uroja këtë që e ka Miki në këtë film.
E karakteri i Mikit nuk ka lidhje me ngjarjen kryesore, është veç ish-burri i Hanës. Hana është gruaja e Elliotit tash, i cili fillon të dashurohet në Linë, motrën e Hanës, e cila është pak “më veç dynjasë,” e cila bashkëjeton me artistin “e mbyllur,” Frederikun, i cili është shumë më i vjetër se ai. (e çuditshme si artistët kanë qenë “sugar daddyt” e viteve ‘80ta)
Motra e tretë, Holli, është një aktore e dështuar, e cila shfrytëzon Hanën kur është “në zor,” më shumë se paratë, dhe ia del të lidhet me historinë kryesore të filmit derisa shkojmë nga fundi.
Si filmat më të mirë të Woody Allen, “Hannah and Her Sisters” është një film i thjeshtë, me karaktere që duken të komplikuara e në kërkim të një jete të lehtë, në kërkim të së cilës vetëm sa bëjnë më tollovi.
Ka skenar fantastik, me dialogë që shpesh rrëshqasin në filozofi e me emra të mëdhenj në rolet kryesore, si Mia Farrow, Dianne Wiest, e Max Von Sydow, derisa Li dhe Elioti janë Barbara Hershey e Michael Caine. Në role tjera vijnë edhe Carrie Fisher, Julia Louis-Dreyfus, e Maureen O’Sullivan në njërin nga filmat e fundit në karrierën e saj të begatshme.
Me krejt këto elemente, “Hannah and Her Sisters” bëhet njëri nga filmat më të mirë të Woody Allen, ndoshta edhe më i miri. Nota personale: 5/5

