Heads of State (2025)

Heads of State (2025)

Gjithçka fillon në një festival domatesh që mbase është në Pamplonë ku diçka që duket si një skuadër e operativëve sekretë mbetet e eliminuar, përfshirë edhe Priyanka Choprën.

Pas kësaj hyrjeje kalojmë te i padukshmi, John Cena i cili në rolin e një presidenti amerikan që të çon mallin e Reganit a Trumpit, nënçmohet nga vetë stafi për papërvojën e tij në lidership dhe që jeta nuk është film.

Kjo fjali i kujtohet edhe nga kryeministri britanik, Idris Elba, derisa të dy provojnë të shpëtojnë pas një sulmit që i bëhet aeroplanit të tyre rrugës për në samitin e NATO-s ku kjo organizatë rrezikon të shuhet.

Pra, mund të hedhim shumë paralele mes filmit dhe situatës së fundit në sferën politike, sidomos me çështjen e NATO-s, por larg politikës, “Heads of State” është plot aksion që mishëron komedinë dhe forcën, si dhe dialogë që shpesh përfundojnë me thumbime ndaj njëri-tjetrit, të presidentit të SHBA-ve dhe kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar.

Harmonia skenike mes Idris Elba e John Cena është më e mira e këtij filmi. Edhe veprimet në rrahje e përballje me tjerët i kanë të ndërlidhura për mrekulli që e bën filmin të rrjedhë për merak.

Pos Chopras, në rol tjetër vjen edhe Jack Quaid, i njohur së fundmi për “Novocaine,” e që si gjithmonë e ka një karakter që i përshtatet goxha shumë.

Filmi është një aventurë plot aksion, nga aeroplani, nëpër trena, e kamionë me bagëti, nëpër tunele e ashensorë, gjithmonë në ikje e në ndjekje, dhe konfrontime me rrahje e të shtëna.

Nëse i keni parë filmat e Gerard Butler si roje presidenti, këtij shtoni komedinë, largoni seriozitetin, dhe keni dy presidentë që s’kanë nevojë për roje si Butler.

“Heads of State” është fund e krye kënaqësi për t’u parë nëse doni aksion e aventurë, dhe jeni fans i John Cenas apo Idris Elbës. Ndonëse, Jack Quaid e Priyanka Chopra bëjnë goxha punë të mirë.

E pastaj është muzika me disa këngë që përshtaten me ngjarjen aq mirë sa të habit kreativiteti i ekipit realizues, i cili sjell edhe disa skena goxha unike. Nota personale: 5/5