Ashtu si thotë Slavoj Zizek për dashurinë ndaj një personi, ashtu duhet të jetë edhe besimi në Zot – i paarsyeshëm.
Në momentin që fillon të arsyetosh e të faktosh besimin në Zot, veçse je në një rrugë që të ngacmon madhështinë më të madhe të besimit hyjnor – të panjohurën.
Njashtu, të sfidosh besimin tënd vetëm sa e përforcon atë, e këtë duket se provon ta bëjë z. Riid kur për mysafirë i ka dy predikuese të mormonizmit, motrën Barns dhe motrën Pakston, të cilat, pas një dite të lodhshme të vizitave tek ata që shprehin interesim për t’ju bashkëngjitur kësaj feje, e gjejnë veten në një vend të izoluar.
Hugh Grant vjen në rolin e z. Riid, një heretik, i cili fillon të kontestojë predikimet e motrave në një mënyrë shumë racionale duke bërë alegori të fuqishme me faktet që ua jep karshi justifikimeve të tyre.
Është e mahnitshme si Grant ka gjetur veten pas të ‘90tave fantastike duke arritur të dominojë në çdo rol që po merr së fundmi, përfshirë edhe këtë të një burri që sfidon dy vajza të reja në një film që duket se do të shkojë nga horrori në çdo moment.
Kjo pritje, nga momenti i hyrjes së dy vajzave në shtëpi, me detaje që i kemi para syve e nuk i shohim, tregon për një skenar e regji fantastike të Scott Beck e Ryan Woods.
E përballë Hugh Grant janë Chloe East e Sophie Thatcher që bëjnë një punë goxha të mirë për rolet e tyre duke e bërë një treshe që e bënë këtë film ndër më të mirët e vitit të kaluar.
Një horror psikologjik që do t’ju gudulis trurin nëse e shikoni me vëmendjen që meriton, e për besimtarët, një film që do t’ju afrojë me Zotin. Nota personale: 5/5

