High Noon (1952)

High Noon (1952)

Kushedi sa shumë bën për njerëzit, i mbron nga e keqja dhe e liga, dhe në fund, kur ke më së shumti nevojë për ndihmën e atyre që i ke mbrojtur e përkrahur më së shumti, mbetesh i vetëm, me shpinën kthyer nga secili për të cilët ke vendosur gjoksin para rrezikut që u kanosej.

Tash që është martuar, pasi u ka shërbyer tërë jetën bashkëvendësve të tij, marshall Uilli përgatitet të kalojë pjesën e mbetur të jetës në rehatinë bashkëshortore.

Por, në ditën e dasmës ai merr një telegram se krimineli të cilin e ka futur në burg, është liruar dhe po vjen për të marrë hakun nga Uilli, edhe atë me trenin e mesditës.

Ndonëse Uilli mund të largohet në pafundësi për të shijuar jetën ai vendos edhe një herë të qëndrojë në krye të detyrës, të mbrojë banorët nga Frenku dhe banda e tij.

Është një film që trajton temën e moralit dhe njeriut, parimet e tija në një shoqëri pa karakter, dhe krejt këto për më pak se 90 minuta, pa humbur kohë në ndërtimin e temës dhe kapjes së momenteve finale.

“High Noon” sjell një emër të denjë për rolin kryesor, ikonën e filmave amerikanë, Gary Cooper, përkrahë princeshës në ardhje, Grace Kelly, dhe krejt këto në regji të Fred Zinnemann, i njohur për trajtimin e temave të ngjashme në filmat e tij tjerë të njohur si “A Man for All Seasons” (të recensuar më parë) e “From Here to Eternity.”

Një klasik amerikan që trajton një temë që kurrë më shumë se sot nuk është aktuale anembanë botës. Nota personale: 5/5