Në njërin ndër filmat “më ndryshe” të Will Smith, e që edhe 20 vite më vonë mbetet i nënvlerësuar, ndodh ajo që e ka bërë të famshëm viteve të fundit – shuplaka!
Shumë vite para Chris Rock, Kevin James hante shuplaka, por vetëm në film. Karakteri i Smith, Hiç, vendos të bëjë burrë Albertin (Kevin James) i cili nuk ka fatin ma të mirë me gra.
I dashuruar në Allegrën, Alberti fillon të marrë mësime burrërie nga Hiçi, i cili është një “konsulent” profesional për të gjetur romancë. Edhe për maniakët që kqyrin shumë filma e nuk janë në nivelin më të mirë social me gratë, ky film mund të jetë si një seminar falas.
Seminar falas deri në momentin kur takojnë një grua në jetë reale!
Ashtu si Hiç, i cili kur takon Sarën (Eva Mendes), i humb të gjitha njohuritë që ka, sepse është një rregull i pashkruar – zemra me trurin nuk mund të bashkëpunojnë!
Filmi është i mirë për pjesën më të madhe, një komedi romantike në mes të dy dekadave që kanë një qasje më ndryshe ndaj këtij zhanri, e prandaj “Hitch” shërben më shumë si urë, ndonëse anon nga të 90tat.
Aktrimi është në nivel, historia shkon mirë, por ka raste kur devijon pa nevojë. Në fund, mbetet një romkom i mirë. Nota personale: 3/5

