SPOILER edhe për The Last Samurai…

Në filmat e vjetër uestern, gjithmonë na lë një pyetje se nga marrin armët indianët vendas kur luftojnë kundër pilgrimëve të bardhë që vazhdojnë shtrirjen drejt perëndimit. Pastaj, në disa filma tjerë e kupton që dikush nga ta ka tradhtuar dhe u ka shitur atyre armët, jo për një luftë të baraspeshuar, sa për interesa të cekëta personale.

Edhe te filmi The Last Samurai, japonezët që nuk duan të përqafojnë ndryshimin, barutin, dhe i mbeten besnikë shpatës, shkatërrohen nga mbretëria e cila falë bashkëpunimit me biznesmenë të jashtëm “pastron” fushën nga kundërshtarët.

Njëjtë edhe te House of Dragon, lufta është e kotë kur ke një dragua, ashtu siç ka qenë e kotë edhe te Game of Thrones.

Por, te GoT kemi pasur edhe tema tjera, më të gjera, fushëbeteja e karaktere, familje e krijesa me veti e qëllime të veta.

Te House of Dragon i kemi të gjitha ato që te GoT na janë dukur ekstreme, tabu.

Dy sezonet e pare janë ankuar më shumë për mungesë aksioni, ka qenë më shumë si një dramë me intriga të zakonshme se kush kë po e tradhton e çfarë po përfiton.

Te sezoni i tretë, për të kompensuar atë kotësi kemi betejë pas beteje, dragua pas dragoi, dhe kjo është mirë, për aksion, për argëtim. Dhe shumicës i ka pëlqyer, tejmase, pasi shihet si sezoni më i mirë në krejt serinë.

Mua jo!

Dhe për arsye subjektive sepse nuk ka gjë të keqe me serinë, por me mua, përkushtimin tim ndaj serisë.

Seria po duket sikur një luftë mes disa biondëve e biondinave, të cilët shpesh po më përzihen cili i kujt është, me kë ka fjetur, me motrën a me nanën, e në ndonjë rast të rrallë me kushërirën, dhe nga cila lidhje incestuoze ka lindur.

Diqysh i kemi dy familje mbretërore të cilat kanë dragonj dhe lidhje familjare, dhe tjerët që duhet t’u nënshtrohen.

Fort nerva më ka shkuar edhe krejt çfarë ka bërë Renira dhe burri i saj, dhe jo vetëm.

Por, në përgjithësi ka pasur mospërputhje në zhvillimin e ngjarjes, pasi duket sikur këtu janë futur dy sezone a më shumë, nëse do të merrnin ritmin e sezoneve të kaluara. Ndoshta nga fakti se gjithçka duhet të përfundojë në sezonin e ardhshëm.

Më thjesht, unë po ankohen për atë që të gjithë ankohen te fundi i Game of Thrones – sezon i përshpejtuar, i ngutur. Sigurisht që do të duhet ta shohim edhe sezonin e katërt, por meh. Nota personale: 3/5