“Tre autobusa musht u nisshin në pesë të sabahut, të fundit u kthefshin në 11 të natës.”
Janë rrëfime si këto që tregojnë hovin ekonomik të komunizmit në vendin tonë me fabrikat e shkollat që vlonin nga punëtorët e nxënësit me shpresën për një të ardhme të ndritur.
Nuk kanë faj kur pleqtë flasin me nostalgji për ato kohëra, sepse është emocion themelor i njeriut që me rritjen/plakjen të jetë më nostalgjik për të kaluarën, pavarësisht sa e zymtë të jetë ajo.
Çfarë t’ju them unë për reduktimet e nëntorit 1999të që fillonin në shtatë të mëngjesit dhe mbaronin në 11 të natës? Po për janarin e atij viti, apo tre muaj luftë b*mbardime kur çdo natë shkonim në gjumë me frikën se nesër mund të jemi në një botë tjetër, si mijëra bashkëkombës tjerë?
Nëpër krejt këto ka pasur edhe momente të mira, ndeshjen e futbollit në shkurtin që reshte borë, apo edhe momentet kur shikonim si binin b*mbat nga aeroplanët gjersa rrinim ulur si fëmijë në qoshe të lëndinës së gjelbër?
Ngjashëm, djali i vogël i familjes Morgan, Hju, që banojnë në një fshat të luginës së Uellsit jugor, familja e të cilit që të gjithë punonin në minierën e fshatit, derisa motra dhe nëna kujdeseshin për ta në shtëpi.
Me kalimin e kohës, jeta e rehatshme e tyre fillon të ndryshojë, me vëllezërit që duhet të marrin vendime që do të prishin harmoninë në familje, duke kërkuar mundësi të reja në jetë.
Është një rrëfim nostalgjie që herët a vonë na prek të gjithëve, historia e një familjeje të klasës punëtore, me një ansambël aktorësh jo aq të mëdhenj në emër, por me një udhëheqës prej më të mirëve pas kamerës.
John Ford bën punë fantastike duke sjell në jetë një rrëfim historik që do të gjente vend në zemrat e të gjithëve si një çelës për të kujtuar të kaluarën tonë, e cila patjetër që do të lidhej disi me historinë e Morganëve.
Është ndër filmat më të nënvlerësuar, dhe padrejtësisht has në një inat të fansave të filmave si “Citizen Kane,” që për mua është ndër veprat më të mira filozofike në film, e “The Maltese Falcon,” një prej noir-ëve më të mirë ndonjëherë, para të cilëve “How Green Was My Valley” kishte fituar çmimin Oskar.
“How Green Was My Valley” është një recetë që kurrë nuk dështon të na bëjë nostalgjik për të kaluarën tonë. Nota personale: 5/5

