Nëse dëshiron të adaptosh filmin e animuar në një film live-action, atëherë pyete Dean DeBlois si bëhet kjo punë.

Sigurisht, me përvojën dhe angazhimin në filmat e animuar, mbetja besnik ndaj ngjarjes dhe universit të dragonjve dhe katundit viking të Berkit nuk ka qenë ndoshta aq problem.

Por, transformimi i një histori të animuar në një film me aktorë nuk është aq e thjeshtë, dhe kemi shumë shembuj si dështojnë në këtë mesele.

Ngjarja zhvillohet në katundin viking ku kafshët shtëpiake përfundojnë në kthetrat e dragonjve. Rrjedhimisht ka një luftë të rreptë midis lokalëve dhe dragonjve, dhe më i miri në katund është ai që vret më së shumti dragonj.

Lemza, i biri i kmetit të katundit, edhe ashtu i parë si “i çuditshëm,” bën diçka edhe më të çuditshme – shoqërohet me një dragua. Në krejt këtë tollovi, aty është simpatia e tij, Astrida.

Gerard Butler vjen në rolin kryesor, Mason Thames e Nico Parker janë Lemza e Astrida. Përshtatja me skenë e kastës është goxha mirë e zgjedhur. Historia është në nivel, shtjellimi i saj, e edhe pjesa vizuale nuk le gjë të mangët.

Është një transformim i përkryer i filmit të animuar në film “live action,” duke mos zhgënjyer aspak fansat e filmave dhe serive të animuara. Përkundrazi, duke qenë në mesin e tyre, mezi pres vazhdimin e dytë.

E vazhdimi i parë do të ishte edhe më i mirë po të ishte i pazëvendësueshmi Craig Ferguson në rolin e farkëtarit, se jo që Nick Frost bën ndonjë punë më të mirë. Nota personale: 4/5