Bazuar në ngjarje të vërtetë, Gerri është një i ri nga Belfasti, me një histori jo të “paqtë” dhe rebele, që përfshinë edhe vjedhje të vogla. Një vjedhje e këtillë ai e bën edhe gjatë vizitës në Londër, në të njëjtën ditë kur një sulm lë të vrarë disa anglezë brenda një lokali.

Gerri dhe tre tjerët, që më vonë njihen si Katërshja e Gildfordit, do të akuzohen për organizimin e sulmit, dhe të shtyrë nga presionet dhe dhuna e organeve të rendit pranojnë fajësinë e tyre.

Por, tirani nuk ndalon me kaq, dhe pos katërshes, organet fillojnë të zgjerojnë listën e të akuzuarve, përfshirë edhe të atin e Gerrit, një burrë i urtë, i cili të vetmin mëkat e ka besimin në djalin e tij.

T’i dëshmosh pafajësinë armikut është mision i pamundur, dhe kjo vërehet goxha mirë në luftën mizore që bëjnë autoritete angleze kundër individëve nga Irlanda Veriore gjatë tensioneve politike që disi janë “qetësuar” në dy dekadat e fundit.

Daniel Day-Lewis luan njërin nga rolet më të mira të karrierës si Gerri, i mahnitshëm në portretizimin e emocioneve të një djali që përkundër të gjitha vazhdon të insistojë në pafajësinë e tij, Pete Postlethwaite rolin e të atit, e në rolet tjera vjen edhe Emma Thompson.

E Jim Sheridan, skenarin në të cilin merr ndihmë edhe nga Gerry Conlon, e kthen për mrekulli në njërin ndër filmat simbol të rezistencës ndaj mizorisë së tiranit duke i dhënë shtytje edhe karrierës së Daniel Day-Lewis i cili do të bëhej njëri ndër emrat më të mëdhenj të kinematografisë në dekadat pasuese.

Një dramë ligjore me një lidhje babë e bir në qendër të një rezistence ndaj shtypjes së armikut, bazuar në një ngjarje të vërtetë, veç çka e bën këtë film njërin prej më të mirëve të këtij zhanri, me emocione goxha të mëdha. Nota personale: 5/5