Sikur iu kishte mbetur merak që nuk ishin marr me sovjetët, por vetëm me gjermanët në filmat e kaluar, gati dy dekada më vonë, Steven Spielberg dhe Harrison Ford rikthejnë në ekran aventuristin e njohur për të shuar mallin e fansave të flaktë.
Dhe vetëm fansave të flaktë duhet t’u ketë pëlqyer ky film, i cili sjell freski në historinë që shtjellon si franshizë, dhe shfrytëzon si është më së miri avancimet teknologjike që ishin zhvilluar ndërkohë.
Sot, kur e dimë edhe filmin e pestë dhe çfarë ndodhë aty, ky filmi i katërt mund të na duket më i mirë, më i përtypur.
Në fakt edhe është, deri diku.
I vendosur në mes të Luftës së Ftohtë, Indiana tash përballet me agjentë sovjetikë në një bazë ushtarake amerikane dhe has në një karakter të ri në këtë histori, Matin, i cili është në kërkim të një kolegu për të gjetur një artefakt misterioz.
Bashkë fillojnë aventurën nëpër vise të ndryshme anembanë botës, në luftë me kohën dhe sovjetët.
Shia LaBeouf në rolin e Matit është siç është Shia gjithmonë nëpër filma – një moment larg katastrofës, gjithmonë i humbur në skenë. Cate Blanchett është e kundërta në rolin e Irinës, e Jim Broadbent, John Hurt, e Ray Winstone kanë role dytësore.
Si gjithmonë, filmi dhe historia shpëtohet nga aktrimi i Harrison Ford i cili gjithmonë duket se kënaqet duke portretizuar Indin, dhe kjo i jep shije filmit. Gjithashtu Steven Spielberg sjell atë atmosferën klasike të Indit, dhe kjo mjafton për fansat e këtij filmi. Nota personale: 3/5

