Pas një teme më të errët te “Temple of Doom,” te filmi i tretë, Steven Spielberg provon të na kthejë pak kujtimet e asaj që e bëri Indiana Xhonsin legjendën që ishte, te filmi i parë.
Ngjarja rrëshqet në rininë e Indianës kur si fëmijë në vitin 1912 përballet për herë të parë me një thesar që shihet edhe si inspirim për të filluar aventurat që do të pasonin vite më vonë, sidomos kjo e vitit 1938 kur tash si profesor dhe aventurier ai i futet asaj që çdo fëmijë i futet herëdokurdo – sekretit për jetën e babait të tij, profesorit Henri Xhons, i zhdukur në kërkim të Kupës së Shenjtë.
Në këtë rrugë ai niset me ditarin e të atit dhe me kolegët e miqtë e tij më të njohur dhe më të shquar në këtë profesion, por pa vonuar shumë do të përballet me forca nga më të ndryshmet, disa të pritura e disa shumë komike.
E gjithë kjo na kthen në zanafillën e historisë së Indiana Xhons duke shërbyer si një finale e denjë, kreativisht e përmbyllur, pa nevojë për t’u rishfaqur vite më vonë në kërkim të dollarëve.
Harrison Ford është i mahnitshëm në rolin e tij si Indiana, e ndonëse shumë më të afërt në moshë se babë e bir, Sean Connery është epik në rolin e babait të Indianës, dhe të dy kanë një harmoni të shkëlqyeshme në skenë.
Filmi kthen momentet e aksionit dhe aventurës që mbizotëronin në filmin e parë, nga tanket deri te kurthet, dhe krejt kjo në kombinimin e regjisë me kolonën zanore, na mrekullon falë dy mjeshtërve të këtyre dy zanateve – Steven Spielberg e John Williams.
Është finale e përkryer e trilogjisë, në fakt do të ishte e mjaftueshme të shikonim këtë dhe Raiders of the Lost Ark, dhe gjithçka tjetër mund të anashkalojmë nga aventurat e Indianës. Nota personale: 5/5

