Vazhdimi i dytë i aventurave të Indianës është pak më i errët, për dikë si unë ndoshta shumë më i errët e i frikshëm, se filmi i parë i cili është ashtu si vetë ideja e filmit, aventurë.

Edhe atë aventurë që të kënaqë.

Mirëpo, këtu, që nga fillimi, diçka nuk duket në linjë me ato që ndodhin në filmin e parë – nisur nga bashkudhëtarja që merr me vete Indi, pas një fillimi larg ambientit të tij të preferuar.

Është viti 1935, dhe bashkë me Uillin – një këngëtare klubi nate, dhe një jetim – Short Round, Indi ikën nga bota kriminale e Shanghait dhe përfundon në një fshat indian i cili e sheh arkeologun tonë të preferuar si shpëtimtar të problemeve të tyre, e të cilat janë goxha të mëdha dhe të rënda.

Në këtë mision, Indiana do të përballet me magji të zezë, kulte antike, dhe mitologjinë Hindu, duke hasur në pengesa nga më të ndryshmet, më të papriturat, dhe më të frikshmet. Nejse, për dikë që është fans i horrorit, këto nuk janë gjë.

Steven Spielberg bën goxha punë të mirë si regji, ruan atë atmosferën e një aventure, e Harrison Ford është përsëri Indiana Xhonsi që e njohim nga filmi i parë. Kolegët e tij në udhëtim janë të mirë, dhe ndoshta karaktere si Uilli kanë ndihmuar të kemi më shumë Tomb Raider, që kanë plotësuar pritjet dhe dëshirat e fansave të filmit në shumë aspekte, sado minimale e sipërfaqësore qofshin ato.

Ajo që e bën filmin më aventurë është ndoshta që gjithçka është antagoniste në film, pos Indit, dhe nuk ka një armik, kundërshtar të caktuar, sa është një rrezik, armik i përgjithshëm, sikur krejt bota të jenë kundër tij.

Nuk më ka kënaqur si filmi i parë, dhe ka pasur disa momente të pështira horrori që nuk janë për qejfin tim, prandaj meh. Nota personale: 4/5