Puberteti të prishë!
Pos transformimit të jashtëm, që në raste del prej kontrolli, transformimi i brendshëm është edhe më kaotik.
Si zakonisht, në mënyrë të shkëlqyer ky ndryshim te Rajlli vjen në vazhdimin e dytë të filmit Inside Out.
Pos pesëshes goxha të komplikuar të emocioneve që kishim në filmin e parë, tashti, krejt papritmas vjen “qeverisja” e re në formë të një puçi emocional që i bëhet si emocioneve aktuale, ashtu edhe Rajllit, por më së shumti, si zakonisht preken njerëzit përreth Rajllit.
Tash në pubertet, Rajlli e merr hokejin mbi akull më seriozisht, dhe në urën ndërmjet fëmijërisë dhe adoleshencës, ajo mendon se ka nevojë të ndryshojë edhe shoqërinë.
Për krejt këto mendime, përkrahjen më të madhe e ka nga katër emocionet e reja – ankthi, frika, inati, edhe francezja!
Kjo luftë e brendshme i bën hallakamë jetën Rajllit gjatë vikendit në kampin e hokejit mbi akull, gjersa emocionet provojnë në dy mënyra të kundërta të drejtojnë jetën e Rajllit në kah të ri.
Mendoj që shumica kanë mundur të ndërlidhen pak a shumë me temën e filmit, sepse krejt kemi kaluar nëpër fazën e pubertetit, aty ku na është dashtë me lanë mbrapa periudhën ma të “rehatshme” të jetës, e cila na bën më nostalgjik sidomos në kohën e festave të fundvitit.
Në vend që të shikojmë filma të vizatuar me borë, ne duhet të punojmë, e të paguajmë fatura. E disa edhe më keq, duhet të shikojnë emisione të përlyera të premteve!
Ndonëse film, Inside Out 2 mund të themi që është një ndër portretizimet më të këndshme të pubertetit. Sigurisht, është naive ta marrim si shpjegim, por prapë, është më shumë se “bisedat” që disa prindër ua japin fëmijëve në këtë periudhë.
Por, si tek emocionet e reja, edhe ata prindër, nuk e kanë pasur idenë se çka e si duhet të bëhet, sepse kjo përcillet gjeneratë pas gjenerate. Shyqyr tash e kanë “Inside Out” për të folur për shëndetin mendor.
Pak filma ia dalin të ndërtojnë cilësinë nga vazhdimi i parë, dhe “Inside Out 2” është ndër ta. Edhe më i mirë se i pari. Nota personale: 5/5

