Sean Anders është njeri i mirë!
Si regjisor dhe skenarist i këtij filmi, dhe shumë filmave të tjerë të këndshëm, të ngrohtë, me komedi familjare, këtu ai sjell një histori më personale – adoptimin e tre fëmijëve nën jetën e tij reale.
Kështu Piti dhe Elli, një çift “rehat” dhe pa “gajle,” provojnë t’i shesin shtëpi familjarëve të tyre, duke u lavdëruar sa e mirë do të ishte për një familje me fëmijë, të cilin ata po presin ta kenë, dhe në atë çast Ellit i lind ideja për adoptim.
Është koha të bindet Piti, dhe kjo nuk vonon gjatë sepse Piti është Mark Wahlberg, njeriu më familjar në filma!
Përkrah tij vjen Rose Byrne, me një energji që i bënë të duken si çift i vërtetë në film. Sigurisht, adoptimi nuk është proces i lehtë, dhe duhet të kalohen teste e sfida të shumta, dhe në këto është pjesa e parë interesante e filmit.
Dhe pas përgatitjes, vjen koha e testit të vërtetë, e kjo është pika kryesore e filmit, që e bën filmin sa të dashur, aq edhe real deri në një pikë, dhe kjo falë treshes së ëmbël të fëmijëve, secili botë në vete, dy motra e një vëlla, me Isabela Merced, tashmë e njohur në tituj të ndryshëm, si motra e madhe, më rebele, dhe kuptohet më dyshuese.
Është goxha film i ëmbël, familjar, me një harmoni të mrekullueshme që kanë të pestit, dhe karaktere tjera ndihmës që i japin frymë kësaj familjeje të re.
Aq i mirë sa të bën të mendosh se adoptimi nuk është ide e keqe. Së paku të bën të tejkalosh ato vitet e para të cilat as për dajë nuk ishin të lehta, e lëre më për prindërit. Është njëri ndër filmat më të mirë të Mark Wahlberg, kryefamiljar. Nota personale: 5/5

