Into the Wild (2008)

Into the Wild (2008)

Të gjithë së paku një herë kemi menduar të braktisim gjithçka dhe gjithkënd dhe të shkojmë në një vend ku nuk ka gjë!

Sigurisht, nuk kemi qenë serioz si Aleksandër Supertrampi, ose më mirë të themi nuk kemi arritur në pikën e thyerjes si ai që të nisemi në rrugën pa shikuar mbrapa!

Këtë mungesë vendosmërie e zëvendësojmë me dashurinë që kemi për filma dhe karaktere që kanë bërë ato që ne nuk kemi dalë t’i bëjmë për një arsye a tjetrën. Prandaj, “Into the Wild,” ka një popullaritet më shumë se mesatar tek ne, për këtë guxim që shfaq karakteri kryesor.

Për ata që nuk e kanë parë, Emile Hirsch vjen në rolin e Chris McCandless, i cili pasi dëshpërohet nga jeta përreth vendos të shkojë e të jetojë në egërsinë e Alaskës.

Sean Penn, si regjisor dhe skenarist i këtij filmi bazuar në librin me të njëjtin titull që sjell ngjarjen e vërtetë të Chris bën punë të shkëlqyeshme duke sjellë momente para e pas nisjes së Chris “në egërsi.” Kjo jep një pasqyrë më të mirë të ngjarjes dhe na afron si shikues me historinë e tij.

E aktrimi i Emile Hirsch është i përkryer për karakterin që portretizon, që dëshmohet fund e krye në këtë film, si dhe te ngjashmëria me Chrisin e vërtetë.

Një histori e veçantë që me çdo ditë të kaluar veç çka po bëhet inspirim për neve, robërve të teknologjisë, të cilët duke ëndërruar për një jetë si “Into the Wild,” po shndërrohemi karaktere të “Wall-E.” Nota personale: 5/5