Adaptimi i një vepre klasike të famshme në film, që për herë të parë ishte provuar 101 vite para këtij versioni, nuk është barrë e lehtë.
Por, deri sot, mund të themi që Cary Joji Fukunaga ka bërë punën më të mirë në transformimin e njërës nga novelat më të famshme të letërsisë klasike britanike në film.
Që nga skena e parë, që sjell karakterin kryesor në moshë fëmijërore, Fukunaga na bën të lidhemi me Xhejn Ajr duke na shtyrë të anojmë nga ajo përgjatë këtij filmi që është një aventurë emocionesh, të ngjyrosura me një zymtësi që përshtatet me temën duke e bërë gotike në masën e duhur.
Historia e Xhejn Ajr është disi e ngjashme me shumë klasikë – ajo është një jetime e cila dëbohet nga shtëpia, dhe pasi rritet fillon të punojë si kujdestare në shtëpinë e Eduardit, i cili në vete ka një jetë plot sekrete.
Si shumë vepra të shekullit XIX nga autoret britanike, edhe kjo në thelb ka romancën e cila has në shumë pengesa që kësaj radhe burojnë nga morali dhe dhembshuria që ka në vete karakteri i Xhejn.
Mia Wasikowska vjen në rolin e Xhejn Ajr, që ndoshta mund të konsiderohet si aktrimi më i mirë i këtij karakteri deri më tash në film. Michael Fassebender aktron pranë saj, me emra si Jdui Dench, e Sally Hawkins në rolet tjera.
Është një film meritor për veprën e famshme të Charlotte Bronte’s duke i qëndruar besnik novelës e duke e transformuar në një film pothuajse në mënyrë të përkryer. Nota personale: 4/5

