Sigurisht që askush, pothuajse, nuk do të vinte në kapitullin e dytë të Xhonathanit pa shijuar filmin e parë.
E ata që vijnë pas filmit të parë, jo që nuk do të zhgënjehen, por të kënaqen edhe më shumë. Kapitulli i dytë i Xhon Uik e sjell heroin tonë të dashur edhe më të çmendur se që ishte në filmin e kaluar. Edhe më në element.
Filmi sjell të gjitha që i kemi parë te filmi i parë, veçse në intensitet edhe më të lartë – nga rrahjet, të shtënat, duelet, aksionet, gjithçka është e dyfishuar. Krejt këto vazhdojnë me të njëjtin ritëm, me koreografi edhe më mbresëlënëse, sikur të ishte balet i kung-fu dhe aksioneve me të shtëna.
Kapitulli i dytë sjell më shumë informata për botën e Xhon Uik, aty ku ishte më parë, për nëntokën, ish-shokët dhe kolegët e tij, Tavolinën, Kontinentalin, dhe krejt universin, i cili kësaj radhe i vihet pas atij, duke filluar së pari me veturën e tij, kësaj radhe.
Por, më vonë ai do të merr një mision të papritur, të çuditshëm, gjithmonë me qëllim që të mbyllë përgjithmonë kapitullin me nëntokën, pjesë e së cilës ishte. E ndoshta ky mision mund të jetë pika më pak e mirë e krejt filmit, marr parasysh që asgjë nuk arrin atë motiv për hakmarrje që kemi në filmin e parë.
Keanu Reeves është fenomenal, si në ekzekutimin artistik të rolit të Xhon Uik, edhe më i çmendur në krejt aksionet që i bën në film, si nga duelet direkte ashtu edhe nga lëvizjet në skenat me të shtëna.
Laurence Fishburne e Ian McShane janë të mirë, e Common e ka atë fytyrën që i “fle shuplaka,” dhe është i përkryer për role antagonistësh.
Edhe më i mirë se i pari. Nota personale: 5/5

