Judgment at Nuremberg (1961)

Judgment at Nuremberg (1961)

Pas filmit të vitit të kaluar në lidhje me gjykimet e Nyrnbergut, këtij filmi paksa i ka humbur madhështia, dhe arsyeja e vetme është niveli i krimeve me të cilat përballen të akuzuarit.

Në bankën e të akuzuarve janë katër gjyqtarë dhe prokurorë të regjimit gjerman të cilët përballen me akuzat për sterilizim, politika të spastrimit racist deri te lehtësimi i operimit të kampeve famëkeqe.

Në krye të gjykimit është Den Hejvud, një gjyqtar amerikan i cili e di që nuk është këtu nga meritat, ose së paku mendon kështu, se sa nga mungesa e tjerëve për t’u marr me një proces jo aq të rëndësishëm, pasi kryesorët e regjimit gjerman veçse kanë përfunduar gjykimin më parë.

Ngjarja vendoset në vitin 1948, dhe pos gjykatës, shpesh kalojmë edhe në netët e ditët e lira të gjykatësit, Hejvudit, i cili provon të familjarizohet me krejt situatën pas Luftës së Dytë Botërore në Nyrnbergun tashmë të rrënuar, dhe në kontroll të forcave amerikane.

Spencer Tracy në rolin e gjykatësit sjell një karakter në lajthitje me vetveten i cili provon të zhvesh krimin nga emocionet personale dhe pritjet që kanë nga atë, të japë një gjykim, një vendim të pastër që përqendrohet vetëm në drejtësinë që kërkohet të vihet në vend nga ai.

Në këtë qëllim ka një pengesë të madhe – mbrojtësin e të akuzuarve, Hans Rolfin, i cili jetësohet nga Maximilian Schell me një aktrim senzacional, të pashoq, në një person i cili provon të zhvesh krimin nga kriminelët, duke provuar të bindë sa gjykatësit dhe të pranishmit në gjykatë, sa edhe neve këndej, matanë ekranit, se të akuzuarit njëmend janë të pafajshëm.

Filmi është i gjatë, tri orë, por nuk është që ngec, sillet kot vetëm për të mbërritur këtë minutazhë. Megjithatë, shpesh të kujton që je në një seancë gjykimi, duke harruar që po shikon një film, dhe kjo ndoshta edhe falë aktrimit fenomenal.

Richard Wilmark është goxha i mirë në rolin e prokurorit, e në rolet tjera, po aq të mirë janë edhe Burt Lancaster si i akuzuari kryesor, bashkë me rolet dytësore ku vijnë Marlene Dietrich, Judy Garland, William Shatner, dhe i mahnitshmi Montgomery Clift.

Është një film goxha i mirë, prej më të mirëve në këtë zhanër. Nota personale: 4/5