Juno (2007)

Juno (2007)

Filmat i japin formë zhvillimit emocional të njeriut përderisa ndiqen sugjerimet e demografisë dhe nuk keqinterpretohen nga shikuesit.

Ka pak tituj që provojnë të “luajnë me zjarr” duke rrezikuar një keqinterpretim eventual të mesazhit të tyre, apo një interpretim i drejtë e i maskuar sipas konspiracionistëve të ndryshëm.

Juno dhe Knocked Up janë publikuar në të njëjtin vit dhe të dy kanë të njëjtën temë – shtatzëni aksidentale, veçse në mosha të ndryshme të karaktereve kryesore.

Më pëlqen puna e Jason Reitman gjatë viteve, derisa talenti i tij vazhdonte me ‘Juno’ ku në bashkëpunim me Diablo Cody si skenariste, sjellin një dramedi adoleshente me dy karaktere të “çuditshme” të cilat duhet të merren me shtatzëninë e tyre karshi të gjitha gajleve të shkollës së mesme.

Ajo që e bën këtë film special është arti i të shkruarit dhe vizatimit, bashkë me një kolonë zanore me këngë goxha simpatike. Të dyja këto vihen në pah që nga hyrja “zyrtare” në film, pasi karakteri kryesor largon kolltukun kishte ndodhur akti që i kishte ndërruar jetën asaj dhe Pauliet.

Michael Cera dhe Ellen Page kanë një harmoni skenike që përshtatet me karakteret e tyre si çift, ngjashëm si dy çiftet tjera – Allison Janney e J.K. Simmons të njohur si prindër të përhershëm filmik dhe Jennifer Garner e Jason Bateman, një çift skenik po aq i këndshëm.

Përkitazi me titullin e filmit, Juno ndjek jetën e karakterit kryesor, atë të Ellen Page si Juno derisa manovron me jetën nga idetë për abort, kohën e shtatzënisë, vendimmarrjen për adoptimin e foshnjës së saj që pret të lindet, derisa provon të njihet me prindërit eventual të saj.

Nëpër këtë rrugëtim, Juno ngjashëm si karakteret tjera hapin një portë tjetër të jetës së tyre derisa rishqyrtojnë vendimet që ju kanë ndryshuar dhe ju ndryshojnë jetën akoma.

Aktrimi është solid, derisa pos faktorëve të përmendur disa paragrafë më lart, filmit i jep shije edhe kinematografia e përshtatshme me ngjarjen, si dhe regjia e Jason Reitman i cili realizon disa skena për qejfin tim.

Është ndër filmat historia e të cilit ka ndryshuar me kohë, sa për efektet fillestare, sa për ngjarjet rreth protagonistes kryesore të filmit. Megjithatë mbetet një film i lezetshëm, pak artistik, por pak mbi mesatar. Nota personale: 4/5