Inaki Williams është njëri ndër lojtarët më të ‘qëndrueshëm’ në La Liga – e kanë lexuar shumica faktin që ka vite që nuk ka munguar për Athletic Bilbaon.
Ndonëse ka qenë prezent për Spanjën në U21 më shumë se në kombëtaren A, ai ka përzgjedhur Ganën, sikur edhe shumë lojtarë – disa yje të njohura të Premier League – të cilët do të mund të luanin për cilëndo nga katër kombëtaret më të mira të Evropës.
Në një intervistë për media, Inaki shprehet që “Gjyshi im është 90 vjeçar, dhe më tha që do të ishte kënaqësi e tij të më shihte për Ganën në Kupën e Botës. Pas këtyre fjalëve nuk kishte mbetur diçka tjetër të thuhet.”
Tash, Spanja, Anglia, Gjermania, e Franca janë të gjitha më me renome se Zvicra për shembull. Edhe nja 10fish më zor është të gjesh vend në to.
Por, disa nuk gjejnë vend as te Zvicra, por refuzojnë Kosovën.
Paçin fat!
Afrika
Maroku ishte interesant dje. Edhe më mirë besoj që do të dalin Kameruni që ka bërë revolucion në skuadër, dhe Gana. Do të ishte kënaqësi të shohim Ganën të kalonte grupin para Portugalisë a Uruguait, dy themele të lojës së futbollit modern.
Befasitë nuk po mungojnë, fatmirësisht, por prapë, janë edhe nga dy ndeshje për secilën kombëtare, dhe mjaft hapësirë për të rikthyer fatin.
Ndonëse Spanja e Anglia dukeshin më të mirat deri tash, shanset për të parë një finale mes atyre dyja prapë mbeten shumë të vogla!
Japonia
Japoninë e kam nxjerrë si të dytën nga grupi E. Dhe pas fitores ndaj Gjermanisë, dhe paraqitjes makabre të Kosta Rikës, kjo punë duket e kryer. Varet se çfarë do të bëjnë Gjermania me Spanjën që papritmas është ndeshja më e madhe e rrethit të dytë.
Derisa kemi Japoninë dhe Korenë Jugore që mund të befasojnë kundërshtarët, kemi edhe Kosta Rikën që në këtë Kupë të Botës është sa për sy e faqe dhe për të ndrequr golaverazhin e tjerëve.
Pastaj, në vitin 2026 do të kemi 48 ekipe, të ndara në 16 grupe. Pra, do të kemi ndeshje edhe më të kota në fazën e grupeve, duke e bërë të kotë dhe të parëndësishme këtë pjesë.
Kosova 2026
A do jetë Kosova në mesin e 48 kombëtareve? Siç janë punët, jo! Aq më pak marrë parasysh federatën dhe shantazhet e lojtarëve të diasporës.
