Orsato

Gjithçka që kërkohet nga një gjyqtar në lojë futbolli është paanshmëria. Me Lahoz kurrë nuk ofrohet kjo. Me Orsatton pak më rrallë. Italiani së paku nuk dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes, sa vendimet e tija!

Kroacia kundër Brazilit luajti lojën më të mirë në Kupë të Botës që nga fitorja e famshme kundër Argjentinës. Për të siguruar finalen ju duhet të luajnë lojë edhe më të mirë se ajo që bënë kundër Brazilit e shumë më të mirë se ajo para katër viteve.

Në anën tjetër Argjentina është favorite bindshëm më e madhe se Kroacia për shkak të ekipit që kanë. Në një 11she të kombinuar, pos Modriç e Perisic, të tjerët do të ishin lojtarë të Argjentinës.

Por, nervat do të përcaktojnë fituesin, dhe argjentinasit humbën ato shumë në ndeshjen çerekfinale. Ju duhet maturi për të mposhtur kroatët e sotëm!

Mbappe

Anglia ishte shumë më e mirë se Franca në çerekfinale. E francezët bënë lojë të mençur, lojë kampionësh. Është ky mentalitet që u mungon anglezëve dhe të cilin kurrë s’do e sigurojnë me Southgate – një humbës i përhershëm! Gjynah që do ju shkojë gjenerata e Bellingham dëm!

Ngjashëm edhe Maroku luajti lojë të mençur kundër Portugalisë të ngujuar në ‘dick-fight’ të brendshëm. Morën atë që merituan – biletën për në shtëpi. Si me Cristianon, si pa të, Portugalia nuk është ekip.

Humbën me plot meritë kundër Marokut, ashtu siç kishin fituar trofeun e vetëm të 20 viteve të fundit – një gol dhe mbrojtje – veçse dallonte koha e golit!

Maroku

Marokenët janë historia e këtij botërori dhe do të mbahen mend përgjithmonë. Sigurisht, pas titullit të parë të Messit, ose të dytit të Mbappes.

Marokun me Kroacinë mund t’i shohim vetëm në luftë për medaljen e bronztë – një lojë e kotë që është veç humbje kohe!

Argjentina dhe Franca do të jenë sigurisht njëri nga finalistët. Me shumë gjasë edhe tjetri. Por, këto dyja nuk ka shanse as teorike të takohen për pozitën e tretë.

Janë dy ekipe kampione e kampionësh, dhe në kohën e rregullt finalja do i takoj njërës nga këto dyja. Penalltitë janë fat!