Anglia mund të ketë zhvilluar ndeshjen më të bukur kundër Iranit, mund të ketë shënuar fitoren më të thellë në këtë Kupë të Botës (shpresoj mos të kemi goldallime kaq të mëdha), por Irani mbetet fituesi i ditës.
Të luftosh të huajt është e lehtë, por të luftosh tuajt, sidomos kur ke një regjim me tendenca diktatoriale, pa asnjë armë, në fushën e futbollit, kërkon guxim.
Për mua, kombëtarja e Iranit është fituesja më e madhe e Katari2022, së paku deri tani.
Ditë e bukur
Senegali shfaqi lojë të bukur mbrëmë, dhe përkundër humbjes treguan qartazi që janë për tu admiruar. Tash u mbetet të japin gjithçka kundër Ekuadorit në duelin direkt dhe mos të lënë ndonjë ‘befasi’ nga Katari.
Futbolli më i bukur u zhvillua në ndeshjen e fundit të mbrëmjes. Një notë e mirë shkon për gjyqtarin i cili nuk hezitoi të jepte kartonë, ashtu siç tentojnë në të shumtën e ndeshjeve disa gjyqtarë ‘gjentellmën’ evropian.
Përvoja
SHBA-të edhe mund të humbnin në fund të ndeshjes, për shkak të mungesës së përvojës. Uellsi e ka këtë zanat, të pres e të shfrytëzoj lëshimet e kundërshtarit kur rehatohen paksa.
Megjithatë, për mua SHBA-të mbeten kombëtarja më e pasur me talente për 2026. Tash i mbetet selektorit të testojë variacione në formacion dhe të zgjedhë më të mirën.
Benzema
Një gjest i mirë nga Deschamps që nuk zëvendësoi Benzeman me ndonjë sulmues tjetër. Nëse fitojnë titullin, qendërsulmuesi i Realit do të ketë edhe një medalje të kampionit të botës. As tri mungesa kryesore në formacion nuk duhet të shfaqnin problem për Francën kundër cilësdo kombëtare në këtë garë, as kundër Brazilit që për mua janë favoritët kryesorë.
Mund të jetë ditë më pak e balancuar se dje, qysh në mëngjes Argjentina, që vjen me përbërjen më të mirë të njëzet viteve të fundit, duhet të shënojë një pesëshe ndaj Arabisë Saudite.
Tunizia nuk ka kaçik për Danimarkën e cila zakonisht nis qetë garat e mëdha; Australia është shumë e rinuar për t’i bërë probleme Francës; e ndeshja më interesante duhet të jetë ajo e orës 5 ndërmjet Meksikës e Polonisë. Të dyja kanë qasje të ndryshme në garat e mëdha, që duhet të tregonte për një Meksikë superiore dhe një Poloni të ‘trembur’ dhe Lewandowskin si një lider vetëm në letër dhe zonën e kundërshtarit, e jo kapiten i një kombëtareje.
