Key Largo (1948)

Key Largo (1948)

Frenk MekKlaud ka vendosur të vizitojë një hotel të vjetër në bregdetin e Key Largos. Aty ai përcjell kujtimet e bashkëluftëtarit të tij të rënë në Luftën e Dytë Botërore, për heroizmin e të cilit ai njofton të atin e të ndjerit – Xhejmsin, tashmë në karrocë; dhe gruan e të ndjerit, Norën.

Ndonëse i mbyllur, në këtë natë vere me zagushi dhe stuhi, mu si kjo e këtij gushti, hoteli ka një mysafir special, i cili bashkë me shokë dhe një grua kanë “zënë” hotelin për vete.

Ndërkohë, policia po kërkon dy të rinj të arratisur, për dorëzimin e të cilëve garanton pronari i hotelit, i cili me të zbardhur mëngjesi premton se do të dorëzohen.

Por, para mëngjesit, mysafiri misterioz zbulon veten të jetë njëri nga gangsterët më të mëdhenj në vend, Xhoni Roko. Në arrati nga autoritet, por i prezantuar me një emër krejt tjetër, Roko përgatitet për t’u larguar nga vendi, por para tij ka motin e pafavorshëm dhe një grup dëshmitarësh të cilët duhet t’i “rehatojë” me kohë.

Në rolet kryesore vijnë emra të njohur klasik si Humphrey Bogart në rolin e luftëtarit, Lauren Bacall si Nora, Lionel Barrymore në rolin e Xhejmsit, dhe mbi të gjitha Edward G. Robinson i cili luan një rol të përkryer si gangsteri nga Çikago. Aktrimi i që të katërve, si dhe rolet tjera dytësore, është fenomenal dhe thjesht i jep jetë këtij filmi.

Filmi është në regji të John Huston, i cili bën edhe skenarin, e bazuar në një shfaqje të mëhershme me të njëjtin titull e temë.

“Key Largo” është një film-noir klasik me zymtësinë që ka edhe historia, edhe ngjarja, e tema. Vendndodhja e bën të veçantë, e sidomos zhvillimi i ngjarjeve, që përcillet me dialogë e shpesh monologë goxha të rëndë në përputhje me nuancën e filmit. Nota personale: 4/5