Është një skenë, në fillim, ku Robert De Niro e pyet Leonardo DiCaprion, “çfarë çika të pëlqejnë?” Edhe Leonardoja, si një ambientalist, fillon i përmend të gjitha racat e kombësitë, duke harruar të përmend -25shin. Pas kësaj, daja/axha Bill i thotë “ta kam gjet ni nuse për qefi.”

Me pas qenë film turqisht e kishin përqeshë gjerë e gjatë, ndoshta jo aq gjatë sa është vet filmi.

Daja, a axha, i thotë nipit po të martoj me një pronare të fushave të naftës, edhe kështu do të bëhemi të pasur. Mirëpo, kjo gruaja i ka disa motra, dhe jo vetëm, bisedarë në pasurinë e saj. Kështu që, kur të ndahet pasuria, Mollit nuk i bie aq shumë pronë.

Por, edhe për këtë ka një zgjidhje – krejt familja e Mollit fillojnë të vdesin një nga një, e dikur edhe të mbyten. Tash, duhesh me qenë goxha naiv për mos të dyshuar në vrasësin. Edhe kjo mund të kuptohet pa kaluar 30 minuta të filmit, kështu që për tri orët e ardhshme ti do të presësh se qysh do të lidhen ngjarjet, do të shohësh shumë skena të kota, as artistike, pa dialog, humbje kohe, deri te përmbyllja që e bën vetë Scorsese duke i dhënë finalen ngjarjes që vazhdon pas skenës së fundit.

Prej luftës së ftohtë ndërmjet Scorseses e Marvel, po vuajmë ne që kemi shijuar filmat e tij të para-streaming. Tash, si për inati, Scorsese po i bën deri në katër orë filmat, e që nuk kanë asgjë interesante sa një histori që as nuk shtjellohet në mjaft detaje, e as nuk mbetet vetëm në pikat kyçe.

Sot, filmat e Scorseses janë bërë diçka në mes filmave artistik edhe mini-serive. “As me shehër, as me Barilevë,” që ia bëjnë pinjollët.

Arroganca tjetër është gjatë filmit që kthehet në një glorifikim të kriminelëve – e kemi fund e krye dhunimin shoqëror që iu bëhet vendasve amerikan – derisa në fund lavdërohet filmi për ngritjen e vetëdijes kolektive për padrejtësitë ndaj vendasve amerikan, kur në fakt është krejt e kundërta.

Njëjtë si karakteret që portretizojnë në film, dy aktorët kryesorë edhe në jetë reale janë hipokritë neoliberal që shesin pallavra për të vazhduar të bëjnë krejt të kundërtën në jetën reale. Prandaj, duhet lavdëruar punën e kastingut, sepse legena ma të mirë për rolet në këtë film nuk ka mundur të gjenin.

Jesse Plemons, John Lithgow, e Lily Gladstone i japin një notë kaluese, këtij filmi bosh. Nota personale: 2/5